Kreu i Federatës Turke të Futbollit thirrje FIFA-s dhe UEFA-s: Përjashtoni Izraelin

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Ibrahim Haciosmanoglu, i ka dërguar letër FIFA-s, UEFA-s dhe udhëheqësve të të gjitha federatave kombëtare të futbollit, duke kërkuar që Izraeli të përjashtohet nga të gjitha ngjarjet sportive, transmeton Anadolu.
Në letrën e tij, Haciosmanoglu theksoi se “futbolli ka qenë gjithmonë shumë më tepër sesa një sport”.
“Është një gjuhë universale që bashkon kultura të ndryshme, nxit miqësinë dhe forcon lidhjet e solidaritetit midis popujve. Të udhëhequr nga këto vlera, ndihemi të detyruar të shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me situatën e paligjshme (dhe më e rëndësishmja, plotësisht çnjerëzore dhe të papranueshme) që po kryhet nga shteti i Izraelit në Gaza dhe zonat përreth saj”.
Haciosmanoglu, duke theksuar nevojën për veprime kundër asaj që ai e përshkroi si situatë çnjerëzore dhe të papranueshme të kryer nga Izraeli në dhe përreth Gazës, tha: “Situata kishte qenë prej kohësh e dëshpëruar, por ditët e fundit ka arritur një nivel të ri urgjence pas ndërhyrjeve të institucioneve të ndryshme”.
Gjithashtu thuhet se një komision i pavarur i OKB-së konfirmoi së fundmi se Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Rripin e Gazës dhe i bëri thirrje Izraelit dhe të gjitha shteteve të përmbushin detyrimet e tyre ligjore sipas ligjit ndërkombëtar për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë përgjegjës.
Ai më tej tha se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë thirrje gjithashtu për pezullimin e privilegjeve tregtare të Izraelit dhe vendosjen e sanksioneve.
Poashtu thuhet se mijëra aktorë, regjisorë, muzikantë dhe profesionistë të tjerë nga sektori i argëtimit nënshkruan një premtim të ri duke refuzuar të bashkëpunojnë me institucionet izraelite të filmit të akuzuara për kryerjen e gjenocidit dhe aparteidit kundër popullit palestinez.
Kreu i Federatës Turke të Futbollit theksoi se qeveritë në të gjithë botën e kanë dënuar gjenocidin dhe kanë kërkuar sanksione kundër Izraelit. “Klubet e futbollit, lojtarët dhe tifozët, së bashku me institucionet sportive, kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj veprimeve të Izraelit”, tha Haciosmanoglu.
Ai shtoi se njerëz të pafajshëm po vriten, përfshirë fëmijë, punonjës të kujdesit shëndetësor, gazetarë që mbulojnë konfliktin, futbollistë profesionistë dhe tifozë çdo ditë.
– Izraeli duhet të përjashtohet menjëherë nga të gjitha ngjarjet sportive
Haciosmanoglu tha se FIFA dhe UEFA e përjashtuan Rusinë nga ngjarjet ndërkombëtare sportive vetëm katër ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë, megjithatë të njëjtat masa nuk u zbatuan kur bëhet fjalë për Izraelin.
“Pavarësisht se pozicionohen si mbrojtës të vlerave qytetare dhe paqes, bota sportive dhe institucionet e futbollit kanë heshtur për një kohë shumë të gjatë”, tha ai.
Haciosmanoglu i bëri thirrje FIFA-s dhe UEFA-s të veprojnë menjëherë, duke theksuar: “Tani është koha që FIFA dhe UEFA të veprojnë të pezullojnë menjëherë Izraelin nga të gjitha garat sportive derisa federatat e saj anëtare të përmbushin rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s”.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 65.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapje të sëmundjeve.