Sllovenia shpall “non grata” kryeministrin izraelit Netanyahu

Sllovenia shpalli sot kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu “persona non grata”, duke i ndaluar atij hyrjen në vend, njoftoi qeveria pas një seance të kabinetit, transmeton Anadolu.
Sekretarja e shtetit në Ministrinë e Jashtme dhe të Çështjeve Evropiane, Neva Grasic, tha se vendimi vjen pas procedimeve të vazhdueshme kundër Netanyahut për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
“Kjo masë nuk drejtohet kundër popullit izraelit, por i dërgon një mesazh të qartë qeverisë së Izraelit se Sllovenia pret respekt të plotë për vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare”, u tha Grasic gazetarëve.
Ajo kujtoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në korrik 2024 se disa politika dhe praktika izraelite shkelën si ligjin humanitar ashtu edhe atë të të drejtave të njeriut, duke theksuar se shtetet, përfshirë Slloveninë, janë të detyruara të mos e njohin ose të mos kontribuojnë në ruajtjen e “situatës së paligjshme që rezulton nga prania e paligjshme e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze”.
Grasic gjithashtu përmendi një raport të 16 shtatorit 2025 nga komisioni i pavarur hetimor i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së për Gazën, i cili arriti në përfundimin se veprimet e Izraelit përbëjnë gjenocid.
“Kjo ishte hera e parë që OKB-ja e përshkroi sjelljen e Izraelit në Gaza si gjenocidale”, tha ajo.
Qeveria sllovene kishte shpallur tashmë ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, “persona non grata” në korrik, duke i akuzuar ata për nxitje të dhunës dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut me “deklarata gjenocidale”.
– Mbështetje financiare për Autoritetin Palestinez
Krahas masës kundër Netanyahut, Sllovenia miratoi një kontribut prej 1,2 milion eurosh për të mbështetur funksionimin e Autoritetit Palestinez.
Grasic tha se kontributi është pjesë e një iniciative nga Franca, Spanja, Norvegjia dhe Arabia Saudite për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të Autoritetit Palestinez.
Ajo shtoi se Sllovenia u ftua të bashkohej me iniciativën për shkak të angazhimit të saj aktiv humanitar dhe mbështetjes së vazhdueshme diplomatike për zgjidhjen e çështjes palestineze.
“Meqenëse Sllovenia njohu shtetin e Palestinës më 4 qershor 2024 dhe merr pjesë aktive në iniciativat për një zgjidhje me dy shtete, është thelbësore të përforcohet mbështetja politike me burime financiare”, tha Grasic.