(VIDEO) Kush kalon vijat e bardha me telefon ose kufje në dorë dënohet 40 euro

“Që nga nesër, telefoni në dorë mund t’ju kushtojë shtrenjtë. Ligji i ri ndalon përdorimin e paisjeve elektronike teksa tejkalon në vizbardha. Një shpërqendrim i vogël, rrezikon gjoba të rënda, sepse ky ligj synon sigurinë e jetës nga aksidentet”.
Sipas nenit 116 të ligjit për sigurinë në komunikacion, këmbësorët tashmë janë të detyruar të lëvizin me kujdes, pa përdorur pajisje elektronike… që mund t’i ulë vëmendjen gjatë kalimit të rrugës dhe shtegut të biçikletave, ndryshe do të dënohet me 40 euro, ndërsa për shoferët e skuterëve, traktorëve dhe motoçikletave që vozisin dhe përdorin pajisje elektronike, gjoba është 50 euro.
Ligji është i publikuar edhe në gazetën Zyrtare, dhe zbatimi i tij do të fillojë që nga nesër ku vëmendje e veçantë i kushtohet ecjes së sigurtë në vizat e bardha.
Sipas ligjit nuk mund të përdoren kufje, telefona celularë, tableta, ora inteligjente ose pajisje të tjera elektronike që mund të zvogëlojnë vëmendjen dhe sigurinë, nga ku përjashtim bëjnë vetëm pajisjet e specializuara të komunikimit të integruara në helmeta mbrojtëse.
Ndërkaq nga një janari i vitit 2026 pritet të hyjë në përdorim edhe sistemi “Qyteti i Sigurt (Safe City)”, i cili me video-mbikëqyrje do të identifikojë shkeljet e komunikacionit. Edhe pse kamerat në komunikacion janë legalizuar tashmë, zbatimi i tyre i plotë do të fillojë në Vitin e Ri. Megjithatë, për këtë është e nevojshme të miratohet edhe Ligji për shkeljet, i cili ende nuk është shqyrtuar në Kuvend. Deri atëherë, sistemi “Qyteti i Sigurt” do të funksionojë në mënyrë prove.
Anida Murati /SHENJA/