Trump përmend Kosovën mes “shtatë luftërave” që thotë se i ndaloi, kritikon OKB-në

Trump përmend Kosovën mes “shtatë luftërave” që thotë se i ndaloi, kritikon OKB-në

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se gjatë mandatit të tij ka “përfunduar shtatë luftëra të pafundme”, duke përfshirë edhe konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një fjalim ku u mburr me përpjekjet e tij diplomatike, Trump përmendi shtatë raste ku, sipas tij, ka ndalur luftëra ose ka zgjidhur tensione: Kamboxhia dhe Tajlanda, Kosova dhe Serbia, Kongo dhe Ruanda, Pakistani dhe India, Izraeli dhe Irani, Egjipti dhe Etiopia, si dhe Armenia dhe Azerbajxhani.

“Kam përfunduar shtatë luftëra të pafundme, ata thanë se ishin të pafundme. I dhashë fund shtatë luftërave dhe në të gjitha rastet ato po tërboheshin me mijëra njerëz të vrarë”, tha ai, duke theksuar se këtë e ka arritur vetëm brenda shtatë muajve të presidencës së tij.

Trump kritikoi Kombet e Bashkuara, duke thënë se nuk kishin luajtur asnjë rol në proceset e paqes.

“Është shumë keq që më është dashur t’i bëj unë këto gjëra në vend që t’i bënin Kombet e Bashkuara. Për fat të keq, në të gjitha rastet, ata as që u përpoqën të ndihmonin”, u shpreh ai.

Sipas tij, shumëkush mendon se ai duhet të marrë Çmimin Nobel për Paqen, por Trump shtoi se “çmimi i vërtetë” është fakti që miliona njerëz jetojnë sot pa rrezikun e luftës./Telegrafi/

MARKETING