Izraeli do të mbyllë të vetmin kalim kufitar për palestinezët e Bregut Perëndimor

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar që kalimi kufitar “Ura e Mbretit Hussein” në Bregun Perëndimor të pushtuar të mbyllet nesër deri në një njoftim tjetër, transmeton Anadolu.
Siç raporton Radioja e Ushtrisë Izraelite, urdhri i Netanyahut u lëshua si reagim ndaj njohjes së shtetit të Palestinës nga shumë vende.
Më tej thuhet se Netanyahu urdhëroi që kalimi kufitar “Ura e Mbretit Hussein”, i cili lidh Bregun Perëndimor të pushtuar me Jordaninë dhe është nën pushtimin izraelit, të mbyllet plotësisht për kalimin e njerëzve dhe mallrave deri në një njoftim tjetër.
Kalimi, i cili përdoret edhe nga zyrtarë të lartë të Autoritetit Palestinez për të kaluar në Jordani, tërheq vëmendjen si porta e vetme drejt botës për palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Autoriteti Palestinez e ka kritikuar vazhdimisht Izraelin për praktikat e tij arbitrare në kalimin kufitar, duke shkaktuar mbingarkesë dhe probleme me kalimet.
Javën e kaluar pas një sulmi që vrau dy ushtarë izraelitë, kalimi kufitar u mbyll, por më vonë ai u rihap sërish.