Kryeministri australian: Ideja se Izraeli pret negociatat për armëpushim në Gaza është jorealiste

Kryeministri australian: Ideja se Izraeli pret negociatat për armëpushim në Gaza është jorealiste

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese tha se ideja që Izraeli pret të negociojë për çështjen e armëpushimit në Rripin e Gazës është jorealiste, transmeton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në selinë e Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York në lidhje me njohjen e shtetit të Palestinës nga Australia, Albanese tha se “Qëndrimi i Australisë ndaj njohjes së Palestinës është vazhdim i politikës sonë të gjatë në vendin tonë”.

Ai theksoi se ata e njohin dëshirën legjitime dhe të gjatë të popullit palestinez për të pasur shtetin e tyre dhe shtoi se cikli aktual i dhunës duhet të marrë fund. “Australia dëshiron shumë qartë t’i japë fund humbjes së jetëve të pafajshme, qoftë izraelite apo palestineze”, tha Albanese.

Duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, Albanese potencoi nevojën për lirimin e pengjeve dhe rifillimin e ndihmës humanitare për Rripin e Gazës.

“Ne e shohim qeverinë izraelite duke vazhduar të mbështesë vendbanimet e paligjshme dhe zgjerimin në Bregun Perëndimor. Ne shohim krizë katastrofike humanitare në Gaza. Ideja që Izraeli po pret të ulet dhe të negociojë nuk është ajo që po ndodh. Kjo është një situatë ku bota po thotë ‘Mjaft!’. Ne duam paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme”, tha Albanese.

Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Portugalia njoftuan dje se e njohin shtetin e Palestinës.

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendon se këto vende po “shpërblejnë terrorizmin”.

MARKETING