Izraeli i zemëruar për shkak të njohjes së Palestinës nga vendet perëndimore

Izraeli i zemëruar për shkak të njohjes së Palestinës nga vendet perëndimore

Njohja perëndimore e shtetësisë palestineze shkaktoi të dielën zemërim në mbarë Izraelin, ndërsa ministrat e qeverisë bënë thirrje për aneksimin e Bregut Perëndimor të okupuar si hakmarrje.

Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia e njohën të dielën shtetin e Palestinës, në një hap që shihet si presion diplomatik për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit palestinezo-izraelit.
Në një njoftim, Ministria izraelite e Punëve të Jashtme e quajti këtë njohje “asgjë tjetër veçse një shpërblim për Hamasin xhihadist”.

Ministri i ekstremit të djathtë për Sigurinë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i bëri thirrje qeverisë izraelite të ndërmarrë atë që e quajti masa të menjëhershme kundërpërgjigjeje: aneksimin e Bregut Perëndimor dhe “shkatërrimin e plotë të Autoritetit Palestinez”.
Në rrjetin social X me qendër në ShBA, Ben-Gvir tha se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të paraqesë propozimin për aneksimin e Bregut Perëndimor.

Yair Golan, kreu i Partisë Demokratike të opozitës dhe ish-zëvendësshef i ushtrisë, e quajti njohjen e shtetësisë palestineze “një dështim të rëndë politik të (kryeministrit Benjamin) Netanyahut dhe (ministrit të financave Bezalel) Smotrichit – një veprim destruktiv për sigurinë e Izraelit.”

“Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e braktisjes politike nga Netanyahu: refuzimi për ta përfunduar luftën dhe zgjedhja e rrezikshme e okupimit dhe aneksimit,” tha Golan, duke bërë thirrje për një qëndrim politik më të fortë për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Pritet që edhe disa vende të tjera, përfshirë Belgjikën, Francën dhe Portugalinë, këtë javë ta njohin zyrtarisht shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Hetuesit e OKB-së kohët e fundit kanë përfunduar se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, ku që nga tetori 2023 janë vrarë mbi 65.000 njerëz.
Rreth tre të katërtat e shteteve anëtare të OKB-së e njohin tashmë Palestinën, ndërsa Irlanda, Spanja dhe Norvegjia e formalizuan njohjen vitin e kaluar.

MARKETING