Trump: Kam vetëm një mosmarrëveshje me Britaninë, njohjen e një shteti palestinez

Presidenti amerikan, Donald Trump po qëndron për një vizitë dy-ditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku sot ka pasur një takim me kryeministrin e këtij vendi, Sir Keir Starmer.
Dy liderët dolën në konferencë për shtyp pas një takimi të gjatë gjersa iu përgjigjen pyetjeve të mediave.
Trump u pyet në lidhje me faktin se Mbretëria e Bashkuar pritet të njohë një shtet palestinez në ditët e ardhshme.
Ai deklaroi se “kam një mosmarrëveshje me kryeministrin për këtë çështje – një nga pak mosmarrëveshjet tona, në fakt”.
“Dua që të lirohen të burgosurit tani. Tani. Jo një, dy, apo pas tre ditëve”, tha 79-vjeçari.
Ndërkohë, kryeministri britanik deklaroi se ai dhe presidenti amerikan e kanë diskutuar këtë çështje në mënyrë private dhe ata “absolutisht bien dakord për nevojën e paqes sepse situata në Gazë është e papranueshme”.
Ndryshe, Britania pritet ta njohë shtetin palestinez gjatë takimit vjetor të liderëve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.