MMJPH: Komunat t’i identifikojnë të gjitha deponitë e egra, të zbatojnë kontrolle të hollësishme dhe të përgatisin plane për mënjanim sistematik

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) u dha rekomandim komunave të zbatojnë kontrolle të hollësishme dhe t’i identifikojnë të gjitha deponitë e egra dhe lokacionet e paregjistruara për mbeturina, si dhe të përgatisin plane për mënjanimin e tyre sistematik.
Nga MMJPH kumtojnë se Ministria pret nga komunat të ndërmarrin masa për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor urgjentisht të ndërmarrë aktivitete të lidhura me kontrollin dhe menaxhimin e deponive në territorin e shtetit.
“Në atë drejtim, nga komunat pritet të kryejnë kontroll të detajuar dhe identifikim të të gjitha deponive të paligjshme dhe lokacioneve të paregjistruara për mbeturina, si dhe të përgatisin plane për largimin e tyre sistematik. Në këtë drejtim, rekomandohet formimi i ekipeve pune për kontroll në terren dhe hartëzim gjeolokativ, vendosja e bashkëpunimit me shërbimet inspektuese për përcaktimin e përgjegjësisë, përgatitja e një raporti për gjendjen me deponitë e paligjshme i cili brenda 60 ditëve do t’i dorëzohet Ministrisë, si dhe zbatimi i fushatave informuese për ngritjen e vetëdijes publike te qytetarët për trajtimin e drejtë të mbeturinave”, thuhet në kumtesë.
Njëkohësisht, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor obligohet të kryejë kontroll inspektues të jashtëzakonshëm mbi të gjitha deponitë ekzistuese dhe lokacionet e paregjistruara në territorin e shtetit.
“Kontrolli duhet të përfshijë verifikimin nëse deponitë funksionojnë në përputhje me lejet e lëshuara dhe standardet ekologjike, konstatimin e ndonjë deponimi të paligjshëm ose menaxhimi të gabuar të mbeturinave, si dhe ndërmarrjen e masave për sanimin dhe sanksionimin në rastet kur konstatohet shkelje”, thonë nga atje.
Me këto aktivitete sigurohet përputhshmëri me obligimet ligjore, parandalimi i ndotjes së mjedisit jetësor dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, me qëllimin final krijimin e një mjedisi jetësor të pastër, të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë.