Real Madridi nuk njeh pengesa, mposht Sociedadin me një lojtar më pak

Real Madridi nuk njeh pengesa, mposht Sociedadin me një lojtar më pak

Real Madridi ka regjistruar fitoren e katërt radhazi në La Liga, duke mposhtur në udhëtim Real Sociedadin me rezultat të ngushtë 1:2.

Skuadra e Carlo Ancelottit siguroi tre pikët e plota pavarësisht vështirësive, duke luajtur me një lojtar më pak që nga minuta e 32-të, kur Dean Huijsen u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli ndaj Oyarzabal gjatë një kundërzbritjeje.

Ndeshja nisi vrullshëm për madrilenët. Arda Güler shënoi që në minutën e tretë, por goli iu anulua për pozitë jashtë loje. Megjithatë, epërsia u zhbllokua shpejt nga ylli francez, Kylian Mbappé, i cili realizoi një gol spektakolar në minutën e 12-të.

Pavarësisht inferioritetit numerik pas ndëshkimit të Huijsen, Reali vazhdoi të tregojë superioritet në fushë. Në minutën e 44-të, Mbappé asistoi bukur për Arda Güler, i cili e dyfishoi epërsinë për mysafirët.

Në pjesën e dytë, Sociedad u rikthye më i vendosur dhe dominoi në pjesën më të madhe të lojës. Golin e vetëm për vendasit e shënoi kapiteni Oyarzabal nga pika e bardhë në minutën e 56-të, pasi Dani Carvajal preku topin me dorë në zonë.

Pavarësisht presionit të vendasve në fundin e ndeshjes, mbrojtja e Realit mbeti e palëkundur dhe ruajti rezultatin deri në vërshëllimën e fundit.

Pas kësaj fitoreje, Real Madridi qëndron i vetëm në krye të tabelës me 12 pikë, ndërsa Real Sociedadi zbret në vendin e 17-të me vetëm dy pikë të grumbulluara.

MARKETING