SHBA-ja pezullon dialogun strategjik me Kosovën

SHBA-ja pezullon dialogun strategjik me Kosovën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar të premten se SHBA ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Referuar deklaratës së Ambasadës veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.

Në postimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se ShBA-të kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të siç thonë të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë tutje thuhet se dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës.

“Shpresojmë të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë se ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës”, thuhet në deklaratë

MARKETING