Izraeli kreu sulme ajrore në Jemen, 35 të vrarë

Izraeli kreu sulme ajrore në Jemen, 35 të vrarë

Të paktën 35 persona humbën jetën dhe 131 u plagosën kur avionët luftarakë izraelitë kryen të mërkurën sulme ajrore në disa zona të Jemenit, njoftoi grupi Huthi.

Televizioni Al-Masirah, i kontrolluar nga Huthi, raportoi se sulmet kishin në shënjestër një institucion mjekësor në kryeqytetin Sana, selinë e bankës qendrore dhe një kompleks qeveritar në provincën Al-Xhauf, në verilindje të Jemenit.

Avionët goditën gjithashtu zyrat e gazetave “26 shtator” dhe “Al-Yemen”, si edhe banesa, sipas të njëjtit burim.

Televizioni po ashtu bëri të ditur se Huthi përdorën mbrojtje kundërajrore ndaj avionëve izraelitë gjatë sulmeve.

Megjithatë, ushtria izraelite pretendon se sulmet kishin si objektiv bazat ushtarake të Huthive në zonat e Sanas dhe Al-Xhaufit.

Sipas njoftimit të tyre, u goditën kampet ushtarake të Huthive, selia e shërbimit ushtarak për marrëdhënie me publikun dhe një depo karburanti.

Në fund të muajit të kaluar, një sulm izraelit në Sana vrau 12 zyrtarë të lartë të Huthive, përfshirë kryeministrin Ahmed Ghalib Al-Rahawi dhe nëntë ministra të tjerë.

Izraeli gjatë muajve të fundit ka kryer disa valë sulmesh ajrore ndaj pozicioneve të Huthive në gjithë Jemenin, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa dhe dronë të Huthive ndaj Izraelit.

Që nga nëntori 2023, Huthit kryejnë sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave izraelite, si edhe ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe Detin Arabik, në shenjë mbështetjeje për palestinezët në Gaza, ku në luftën gjenocidale izraelite janë vrarë mbi 64.600 njerëz.

MARKETING