Modriç, vitet janë vetëm numra/ Legjenda kroate mbush katër dekada në majat e futbollit

Duket se e ka harruar moshën dhe as nuk ka ndërmend që ta kujtojë. Luka Modriç mbushi 40 vjeç këtë të hënë të 9 shtatorit, duke na kujtuar se për legjendat e sportit shpesh koha do të thotë vetëm numra.
Që kur nisi karrierën në 2003 me ekipin e parë të Dinamos së Zagrebit, u ngjit tepër shpejt në majat e futbollit.
Modriç, kapiteni i paoksidueshëm i Kroacisë, luan sërish në majat e profesionit, në njërën nga pesë ligat kryesore të Europës, Serinë A, me synimin që të rikthejë Milanin aty ku i takon.
Në majë të Italisë dhe të kontinentit.
Në 22 vjet aktivitet, ka fituar 34 trofe, ndërsa për Kroacinë deri tani ka 190 ndeshje e ka shënuar 28 gola.
Kulmet I pati tek Reali, ku kaloi në 2012 nga Totenhemi.
Fitoi 6 Champions, duke barazuar rekordin e madh të spanjollit Fransisko Hento, duke shtuar 4 tituj në Spanjë, 5 Superkupa të Europës, një Kupë Interkontinentale, 5 Kupa të Botës për klubet, dy Kupa të Spanjës dhe 5 Superkupa të Spanjës.
Me Kroacinë arriti finalen e Kupës së Botës në 2018, humbur përballë Francës, ndërsa në “San Siro” u prit në mënyrë madhështore dhe me Milanin ka kontratë deri në fund të sezonit.
Nuk do të ishte habi, nëse edhe sezoni tjetër do ta gjente në fushë në moshë 41-vjeçare.