Netanyahu mori përgjegjësinë për sulmet izraelite në Doha: Objektiv ishin zyrtarë të Hamasit

Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të martën se Izraeli ka kryer një sulm ndaj liderëve të Hamasit në Katar.
“Izraeli e nisi, Izraeli e kreu dhe Izraeli merr përgjegjësinë e plotë”, tha Netanyahu.
Në një deklaratë në X, zyra e Netanyahut shtoi se sulmi ishte “një operacion krejtësisht i pavarur izraelit” kundër udhëheqësisë së grupit palestinez të rezistencës, Hamas.
Forcat izraelite konfirmuan se kanë synuar liderët e lartë politikë të Hamasit në Dohë, duke i akuzuar ata për drejtimin e operacioneve pas sulmit të grupit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit.
Gazetarët në kryeqytetin e Katarit panë tym që ngrihej pas një ndërtese të ulët pas sulmit.
Katari dënoi sulmin, duke thënë se ndërtesa banimi ku ndodheshin anëtarë të Byroja Politike të Hamasit ishte goditur. “Shteti i Katarit dënon fuqishëm sulmin e pabesë izraelit”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari, në X.
Një zyrtar i Hamasit në Gaza i tha AFP-së se negociatorët me bazë në Dohë ishin “synuar” gjatë sulmeve. Dy burime të Hamasit i thanë Reuters se ekipi i tyre negociator mbijetoi sulmin.
Ambasada e ShBA-së në Katar lëshoi një urdhër për të qëndruar në vendbanim pas raportimeve për sulmin, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë në Dohë të marrin menjëherë masa paraprake.
Sulmi vjen pak më pak se dy javë pasi shefi i forcave të armatosura izraelite premtoi se do të ndjekë liderët e Hamasit jashtë vendit.
“Shumica e udhëheqësisë së Hamasit është jashtë vendit, dhe ne do t’i arrijmë ata gjithashtu”, tha Gjeneral-Lejtnanti Eyal Zamir më 31 gusht.