VLEN: BDI-ja manipulon ndjenjat kombëtare, nuk është parti e reformuar

VLEN: BDI-ja manipulon ndjenjat kombëtare, nuk është parti e reformuar

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk është një parti e reformuar, por një grupacion që manipulon ndjenjat kombëtare dhe aspiratat evropiane të shqiptarëve, për interesa të ngushta partiake dhe personale. Kështu deklaroi sot në një konferencë për media deputetja e koalicionit VLEN, Merita Kollçi Koxhaxhiku.

Ajo kritikoi ashpër deklaratat e fundit të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili pranoi se ka pasur takime me ish-kryeministrin e arratisur Nikola Gruevski në Budapest.

“Këto ditë jemi dëshmitarë të një rrëfimi skandaloz nga Bujar Osmani – një njeri që për më shumë se dy dekada ka keqpërdorur besimin e shqiptarëve. Ai refuzoi publikisht të mohojë takimin me Nikola Gruevskin, një person i shpallur në listën e zezë amerikane dhe i kërkuar nga drejtësia,” theksoi Kollçi Koxhaxhiku.

Deputetja ngriti disa pyetje publike për Osmanin, duke kërkuar transparencë mbi natyrën dhe qëllimin e këtyre kontakteve:

  • Që kur takimet e një ministri të Jashtëm me individë nga lista e zezë amerikane klasifikohen si sekrete?

  • A janë raportuar këto takime në Prokurorinë Publike apo në Ministrinë e Brendshme?

  • Cili është interesi i vërtetë pas këtij komunikimi të fshehtë?

Sipas saj, qytetarët shqiptarë meritojnë përgjigje të qarta dhe jo heshtje.

“Kujtojmë se ndihma për arratisjen e Nikola Gruevskit ishte vepër e BDI-së. Ligji për amnisti për Mijalkovin dhe bashkëpunëtorët e tij ishte gjithashtu nënshkruar nga BDI-ja. Të gjitha këto janë dëshmi të dëshpërimit të një elite të korruptuar që e di se koha e saj ka marrë fund,” shtoi Kollçi Koxhaxhiku.

Ajo akuzoi më tej BDI-në për shndërrimin e politikës në “treg dhe biznes”, ndërsa shqiptarët, sipas saj, janë kthyer në pengje të marrëveshjeve me kriminelë dhe refugjatë politikë.

“VLEN është këtu për të rikthyer politikën e pastër, për të siguruar transparencë dhe për të vendosur përgjegjësi. Qytetarët meritojnë ndershmëri dhe drejtësi, jo marrëveshje të fshehta me ata që grabitën shtetin,” përfundoi ajo.

MARKETING