VLEN: Badenteri nuk preket, hipokrizia e BDI-së po fundoset më 19 tetor!

Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të BDI-së, duke theksuar se parimi i Badenterit është i paprekshëm dhe një gur themeli i rendit kushtetues të vendosur nga Marrëveshja e Ohrit.
Në një deklaratë të publikuar sot, VLEN thekson se çdo tentativë për të relativizuar apo politizuar Badenterin nga ata që, sipas tyre, e kanë shkelur për dy dekada Marrëveshjen e Ohrit, është “hipokrizi e pastër”.
“BDI nongrata nuk ka kredibilitet të flasë për Marrëveshjen e Ohrit. Ata kanë lejuar diskriminim gjuhësor dhe kanë përdorur Balancuesin për punësime partiake”, thuhet në deklaratë.
Sipas VLEN-it, është pikërisht qeveria aktuale që ka ndërmarrë hapa konkretë për të zbatuar në praktikë Marrëveshjen e Ohrit, përmes miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili garanton përfaqësim real të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në institucionet shtetërore.
Në prag të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, VLEN shprehet i bindur se qytetarët do të “vulosin me votë” mbrojtjen e Badenterit dhe përfundimisht do të largojnë BDI-në nga pushteti lokal, duke e akuzuar këtë të fundit për korrupsion, dështim dhe “tradhti ndaj shqiptarëve”.
VLEN ka hedhur poshtë edhe anketat e fundit që tregojnë avantazh të BDI-së, duke i cilësuar ato si “të rrejshme” dhe pjesë të një përpjekjeje për të manipuluar opinionin publik.”Ora e përgjegjësisë ka ardhur”, përfundon deklarata e koalicionit.