Gashi pret delegacionin e liderëve të rinj politik nga SHBA

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, priti sot në ambientet e Kuvendit një delegacion të Këshillit Amerikan të Liderëve të Rinj Politik (ACYPL).
Gjatë takimit, u diskutua mbi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset politike, forcimin e demokracisë dhe nevojën për ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet shteteve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Gashi u uroi mirëseardhje anëtarëve të delegacionit dhe i përgëzoi për programin që përfaqësojnë, duke theksuar se nisma të tilla kontribuojnë ndjeshëm në avancimin e dialogut, mirëkuptimit dhe miqësisë ndërmjet popujve.
“Liderët e rinj janë motor kyç i ndryshimeve shoqërore dhe, me entuziazmin dhe vizionin e tyre, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë,” u shpreh Gashi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, duke reflektuar përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet të rinjve nga vende të ndryshme.