KShZ-ja nuk e ka miratuar udhëzimin për numrin e këshilltarëve në këshillat komunalë dhe në Qytetin e Shkupit

KShZ-ja nuk e ka miratuar udhëzimin për numrin e këshilltarëve në këshillat komunalë dhe në Qytetin e Shkupit

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot nuk e miratoi udhëzimin për plotësimin e formularit të listave për kandidatë për anëtarë të këshillave komunalë dhe Qytetit të Shkupit, pasi anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, kërkoi që vendimi të miratohet me konsensus, unanimisht, duke iu referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor të cilat, siç tha, parashikojnë që një anëtar i Komisionit mund të kërkojë një votim të tillë nëse vendimi ka të bëjë me komunitetet joshumicë.

Për Shehun është kontestuese të miratohet udhëzim i tillë bazuar në një vendim ekzistues të Qeverisë, i cili, siç theksoi, ështl ulur numri i këshilltarëve bazuar në regjistrimin e popullsisë që e ndan popullsinë në rezident dhe jorezident. Sipas saj, numri i këshilltarëve në komuna dhe Qytetin e Shkupit përcaktohet në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe jo në përputhje me një vendim të Qeverisë.

Duke pasur parasysh kërkesën e Shehut, për këtë çështje duhet të prononcohet shërbimi ligjor i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve brenda një periudhe të caktuar kohore.

Kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko, paraprakisht  theksoi se një udhëzim i tillë për zgjedhjet lokale të vitit 2021 është miratuar në bazë të një vendimi qeveritar të vitit 2004 për numrin e këshilltarëve në komuna dhe Qytetin e Shkupit.

Megjithatë, ai e vuri udhëzimin në votim, pas së cilës u arrit në përfundimin se pesë anëtarë ishin pro dhe dy ishin kundër, që do të thotë se udhëzimi nuk mund të miratohet me konsensus, gjegjësisht unanimisht.

“Me zbatimin e dispozitave të nenit 31 të Kodit Zgjedhor, pika 34g, të cilit iu referua kolegia Ditmire Shehu, e cila thotë se kur një propozim vendim i KShZ-së ka të bëjë me interesat e komunitetit joshumicë, para se të vendoset vendimi në votim, çdo anëtar i KShZ-së që i përket komunitetit jo shumicë ka të drejtë të kërkojë që KShZ-ja të vendosë që një vendim i tillë të merret me konsensus. Në përputhje me pikën 34g të nenit 31 të Kodit Zgjedhor, siç është propozuar nga kolegia, unë po e vendos udhëzimin në votim si një propozim-udhëzim për plotësimin e formularit për listat e kandidatëve për anëtarë të Këshillit komunal dhe Qytetit të Shkupit”, tha Kondarko dhe konstatoi se pesë anëtarë të KShZ-së janë pro dhe dy janë kundër.

Në përputhje me këtë dhe dispozitën ligjore të cituar, siç theksoi, ai konstatoi se për këtë vendim votimi ka treguar se nuk ka koncensus dhe ai nuk është miratuar.

“Sipas diskutimit dhe propozimit të Shehut, KShZ-ja, me kërkesë të saj, mund të veprojë në përputhje me pikat 34d dhe 34gj, gjegjësisht kolegia ka të drejtë t’i drejtohet me shkrim shërbimit ligjor që do ta shqyrtojë këtë çështje dhe është e detyruar të japë një përgjigje me një mendim me shkrim brenda një afati të përshtatshëm”, tha Kondarko, duke shtuar se komisioni do të kthehet në këtë pikë të kësaj seance pas përfundimit të asaj procedure.

Në seancën e sotme të 130-të, KShZ-ja miratoi disa vendime të tjera që lidhen me procesin e ardhshëm zgjedhor për zgjedhjet lokale, si dhe miratoi udhëzim për monitorimin e procedurës zgjedhore.

MARKETING