(VIDEO) Mexhiti dhe Osmani premtojnë modernizimin e komunës me arkitekt botëror

Gara për Çairin sa vjen e bëhet më e fortë. Dy kandidatët për kryetar të kësaj komune, forcat po i masin edhe përmes prezantimit të arkitektëve të huaj që sipas tyre do ta modernizojnë Çairin Izet Mexhiti nga VLEN ka zgjedhur ekspertin e urbanizmit Bayram Vardar, i cili ishte pjesë e ekipit të presidentit Rexhep Taip Erdogan në qytetin e Stambollit dhe urbanist kryesor në qytetin e Bursës, për të gjetur zgjidhje për lagjet më të dendura të kësaj komune.
Izet Mexhiti, kandidat i VLEN për Çairin
“Neve na duhet zgjidhje më shumë për Dizhonin, Serovën dhe Gazi Babën. Këto janë tre segmentet më të dendura me shtëpi individuale. Na duhet zgjidhje gjithashtu për komunikacionin. Kjo rrugë duhet të zgjerohet-Rruga Cvetan Dimov”.
E, eksperti Bayram Vardar zotohet se do punoj mbi këto problematika, duke shtuar se të njejtat probleme janë edhe në disa lagje në Bursa dhe Stamboll.
Bayram Vardar, ekspert i urbanizmit
“Të njejtat probleme që ekzistojnë në Çair, të njejtat probleme ekzistojnë edhe në lagjen Zafer të Bursës, në Osmangazi të Bursës, në lagjen Esenler të Stambollit dhe në Bayrampasa…Ne jemi këtu për të punuar. Do të analizojmë, pastaj do të punojmë mbi të”.
Në anën tjetër, kandidati i BDI-së Bujar Osmani, ka zgjedhur arkitekt meksikan. Michel Rojkind thotë se me Osmanin po punojnë për skenarin më të mirë për Çairin.
Michel Rojkind, arkitekt
“Kemi folur për rivitalizimin e qendrës historike, mundësinë e lëvizshmërisë dhe rëndësinë e vendit ku parkohen veturat dhe cilat janë mundësitë e krijimit të këtyre qyteteve që janë më shumë për këmbësorë, hapësira të gjelbërta”.
Osmani shprehet se Çairi meriton shumë se vetëm një rindërtim, meriton një vizion që do ta shndërrojë në një vend urban, bashkëkohor dhe modern për të jetuar.
Bujar Osmani, kandidat i BDI-së Çairin
“Në vizionin e ri, Çairi do të zhvillohet si një komunë moderne, funksionale dhe e sigurt, ku nevojat e qytetarëve do të jenë në qendër të strategjisë: qasje e lehtë, hapësira publike, estetikë e pastër dhe liri lëvizjeje”.
Zgjedhjet janë caktuar për më 19 tetor, ndërsa duket sikur “fushata” kryesore e dy koalicioneve shqiptare është përqendruar kryesisht në Çair.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/