Vizion urban për Çairin: Michel Rojkind në ekipin e Bujar Osmanit

Vizion urban për Çairin: Michel Rojkind në ekipin e Bujar Osmanit

Arkitekti me famë botërore nga Meksika, Michel Rojkind, do të jetë pjesë e ekipit të kandidatit për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, me synimin për të ndihmuar në hartimin e një vizioni të ri për të ardhmen e kësaj komune.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Osmani përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku njofton se bashkëpunimi me Rojkind synon krijimin e një qyteti më të jetueshëm, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt së ardhmes, me theks të veçantë te hapësirat publike që nxisin komunitetin, kulturën dhe mundësinë.

“Michel Rojkind është një arkitekt që kombinon dizajnin me dimensionin social dhe kulturor, duke e trajtuar arkitekturën si mjet për transformim urban dhe përfshirje të komunitetit,” thekson Osmani.

Rojkind është themelues i studios së njohur “Rojkind Arquitectos”, e cila është përzgjedhur nga revista Forbes si një nga 10 firmat më inovative të reja në botë. Ai është njohur gjerësisht për projekte ikonike si “Nestlé Chocolate Museum” (2007), “Cineteca Nacional Siglo XXI”, “Mercado Roma”, si dhe për fasadat spektakolare të “Liverpool Interlomas”.

Në vitin 2010, Rojkind fitoi çmimin prestigjioz “Emerging Voices” nga Architectural League of New York, ndërsa mediat ndërkombëtare si The New York Times e kanë përfshirë në listën e “fytyrave që duhet ndjekur”.

Ai ka ligjëruar në konferenca si TEDx dhe World Architecture Festival, si dhe ka qenë profesor vizitues në universitete prestigjioze si Harvard, University of Pennsylvania, SCI-Arc, dhe Aalto University.

Sipas Osmanit, angazhimi i Michel Rojkind është një garanci për një transformim të guximshëm dhe të qëndrueshëm të Çairit: “Me histori të dëshmuar në shndërrimin e ideve ambicioze në realitet, angazhimi i Rojkind garanton që vizioni i Çairit për të nesërmen do të jetë i guximshëm, i besueshëm dhe transformues.”

MARKETING