(VIDEO) Qyra: Jam dhe mbetem i pavarur, kërkoj votën e të gjithëve

(VIDEO) Qyra: Jam dhe mbetem i pavarur, kërkoj votën e të gjithëve

Struga, një vend që shtrihet buzë liqenit dhe me pasuri të shumta natyrore pritet të sjellë një garë interesante kur janë në pyetje zgjedhjet lokale.

Garës për të fituar këtë komunë i është futur edhe filantropi i njohur strugan, Mendi Qyra, ish kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perendimore.

Qyra kësaj gare i është futur si i pavarur por që gjatë rrugës ka fituar mbështetjen e koalicionit VLEN.

Në specialen e TV Shenjës, Qyra ka thënë se edhe në rast se fiton, nuk do të bëhet pjesë e asnjë partie politike sepse siç tha, komuna ka nevojë për menaxhues  dhe jo për politikan.

MENDI QYRA – KANDIDAT PËR KRYETAR KOMUNE NË STRUGË

“S’do të thotë se u futa si kandidat për kryetar komune dhe do të futem në politikë. Thashë se nuk do të merrem me politikë. Kryetar komune nuk do të thotë të jesh politikan, thonë të gjithë se ka një çik politikë, po pajtohem se ka, por nuk do të merrem me politikë sepse komuna ka nevojë aq shumë për një kryetar komune që t’i zgjidhe problemet e qytetit dhe të mos merret me kuadrot politike të merret me parti politike, të shkojë lartë dhe të kthehet poshtë dhe këtë drejtim jam i prerë që do të jemë vetë menaxhues i qytetit të Strugës dhe dua ta mbyll edhe karrierën time”.

Si kandidat i pavarur, Qyra tha se do të kërkojë votat e të gjithë struganëve dhe nuk do të bëj dallim në këtë aspekt sepse thotë se vota e qytetarëve pa dallim etnie peshon njëjtë.

MENDI QYRA – KANDIDAT PËR KRYETAR KOMUNE NË STRUGË

“E kam pas parasyshë se do të kërkoj votën e të gjithëve dhe këtë edhe e kam bërë, për këtë sigurisht falenderoj VLEN-in që më përkrah, do të vazhdoj të bëj kërkesë që të më përkrahin të gjithë partitë politike sepse jamë i pavarur, kërkoj votën e të gjithëve, biles e kërkoj edhe të BDI-së, edhe të LSDM-së edhe të VMRO-së edhe të Aleancave që janë tash të ndara”.

Qyra mes tjerash ka kritikuar kryetarët paraprak duke thënë se për 20 vite nuk kanë realizuar asnjë projekt ose investim kapital të rëndësishëm për Qytetin e Strugës.

Kujtojmë, se për Strugën, veç Qyrës në garë është edhe Dr. Arsim Dalipi nga besëlidhja, Aleanca Kombëtare për Integrim por edhe Besnik Asani, një tjetër kandidat i pavarur.  Ndryshe, rrethi i parë i zgjedhjeve lokale pritet të mbahet më 19 tetor të këtij viti.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING