Naser Selmani: Bomba e botës serbe i plas në dorë VLEN-it!

Naser Selmani: Bomba e botës serbe i plas në dorë VLEN-it!

Shkruan: Naser Selmani

Raporti i Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ku qartë shprehet shqetësim për rrezikun nga ndikimi i botës serbe, ka tronditur skenën politike të vendit. BE ia përplasi në fytyrë qeverisë një realitet që nuk mund të injorohej më.
Reagimi i partive shqiptare ishte i papërgjegjshëm sepse përdorën këtë temë tejet serioze për konsum të brendshëm. Ato raportin duhej ta përdornin për të goditur politikën proserbe maqedone, e jo të akuzojnë njëra tjetrën për përkrahjen e projektit të botës serbe duke krijuar përshtypje të gabuar në opinion.

Ndjenja proserbe në Maqedoni i ushqejnë partitë maqedone, VMRO hapur, opozita më fshehur.
Nuk ka opozitë në botë, që nuk do të shfrytëzonte raportin e BE-së, si mundësi e artë për të goditur qeverinë, se vendi po braktisë rrugën evropiane dhe rrezikshëm po rrëshqet nën ndikimin e botës serbe. Për sa kuptova, reagimi BDI-së ishte ndaj qeverisë, kuptohet ndaj VMRO-së, sepse ajo si parti më e madhe dikton rrjedhat politike në vend. Koalicioni shqiptar Vlen në vend të hesht sepse realisht shigjetat ishin drejtuar kundër VMRO-së, reagon duke përdorur spekulime të ulta për të mbrojtur padronin e tyre, Mickovski. Por kur e ke mëzën nëm kësulë, nuk mund të përballosh tundimin për t’u kapur për kësule.

Kundërpërgjigja e Vlenit mbështetj në dy shtylla manipulative. Pa sukses u përpoqën të barazojnë botën serbe me Ballkanin e hapur dhe të fajsësojnë ish ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, se qenkësh takuar më shpesh me zyrtarë serb se sa me ato kosovar.
Në fakt, këto teza janë të ministrit të jashtëm Mucunski, i cili një ditë më parë përdori të njejtat argumenta për të hedhur poshtë akuzat evropiane për afrimin me botës serbe. Në këtë rast, Vlen u vu vetlm në rolin e tellallit që përsërit qëndrimet e prodhuara nga propaganda qeveritare e Mickovskit.

Nuk qëndron paralelja mes botës serbe të Vulinit dhe Ballkanit të hapur sepse projekti i parë është i shtetit serb, ndërsa i dyti ishte projekt amerikan, i cili synonte të shkëpuste Serbinë nga Rusia, duke e joshur me hapjen e tregjeve ballkanike. Askush nuk mund ta mohojë autorësinë amerikane mbi Ballkanin e hapur, pavarësisht se ai favorizonte ekonominë serbe në rajon, por qëllimi përfundimtar amerikan ishte shkëputja e Beogradit nga Moska dhe paqëtimi i Ballkanit.

As ftesa për shefin e diplomacisë ruse Lavrov për takimin e Këshillit të ministrave të OSBE-së në nëntor të vitit të kaluar në Shkup nuk mund të cilësohet si qëndrim pro-rus i ish ministrit Osmani. Vizita e sekretarit amerikan Entoni Blinken në Shkup e eliminon këtë dyshim. Blinken erdhi në Shkup për të përkrahur qëndrimin e kryesuesit të OSBE-së ndaj ardhjes së Lavrov në Shkup. Sepse po të mos ftohej ai, OSBE do shpërbëhej për mungesë fondesh.

Spekulative ishte edhe akuza e Vlenit për takimet e shpeshta të Osmanit me zyrtarë serb. Duke se Mucunski keq i ka informuar për numrin e vizitave të Osmanit në Prishtinë. Sidoqoftë, të fajsosh një ministri të jashtëm për takime të shpeshta me fqinjët, është njësoj sikur t’i thuash të mos bëjë detyrën e tij.

Përballë spekulimeve tendencioze të Vlenit qëndrojnë faktet kokëforta. Raporti i BE-së është realitet i vërtetuar nga 461 eurodeputet. Të mundohesh të fshehësh këtë realitet është marrëzi politike. Përveç kësaj arsyeton politikat antievropiane të Mickovskit dhe mbron Ivan Stoilkoviqin, mikun e ngushtë të Putinit. Komuniteti i vogël serb në Maqedoninë e Veriut meriton përfaqësim në qeverisje, por një parti shqiptare në qeveri asesi nuk duhet të pranojnë një politikan prorus serb.

Mexhiti dhe Kasami duhet ta dinë se emërimi i Stoilkoviqit, një politikan pa kurrëfarë peshe elektorale, për zëvendëskryeministër dhe ministër për komunitetet, është një provokacion i hapur ndaj shqiptarëve dhe aleatëve euroatlantik. Mesazhi i Mickovskit është i qartë, nëse ju nuk na përkrahni në kontestin me Bullgarinë, opsioni jonë do të jetë bota serbe.

MARKETING