Shtetasi i Gjermanisë arrestohet dhe dëbohet nga RMV-ja për shpalosje të flamurit të “Shqipërisë së Madhe”

Shtetasi i Gjermanisë arrestohet dhe dëbohet nga RMV-ja për shpalosje të flamurit të “Shqipërisë së Madhe”

Autoritetet e rendit në Maqedoninë e Veriut kanë ka ngritur kallëzim penal kundër një shtetasi të Gjermanisë për “nxitje të urrjejtjes” gjatë ndeshjes së futbollit që u zhvillua dy ditë më parë në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve midis Shkëndijës dhe skuadrës azerbajxhanase Qarabag, transmeton Anadolu.

Siç thuhet në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Brendshme, Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup ka ngritur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për veprën penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit mbi baza nacionale, racore, fetare dhe të tjera diskriminuese”, sipas nenit 319 të Kodit Penal.

Në njoftim thuhet se personi në fjalë, më 5 gusht 2025, pak para ndeshjes së futbollit KF Shkëndija-FK Qarabag, ka shfaqur dhe valëvitur flamurin e “Shqipërisë së Madhe” me mbishkrimin “Autokton”, “duke nxitur ndjenja urrejtjeje, përçarjeje dhe mosdurimi mbi baza etnike”.

Personi është ndaluar menjëherë nga zyrtarët policorë, ndërsa Gjykata Themelore Penale Shkup ka shpallur vendimin menjëherë, duke e dënuar me dënim me kusht prej dy vitesh burg dhe me dëbim dhe ndalim hyrjeje në territorin e Maqedonisë së Veriut për një periudhë prej pesë vitesh.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike theksojnë se do të vazhdojnë me aktivitete të koordinuara për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave që përhapin urrejtje dhe mosdurim gjatë ngjarjeve sportive. Pasi të identifikohen autorët, ata do të procedohen në përputhje me kompetencat e prokurorisë, thuhet në njoftim.

MARKETING