Tottenhami i kërkon leje Real Madridit për të filluar bisedimet me lojtarin e tyre

Sulmuesi brazilian Rodrigo është kthyer në telashin e madh të Real Madrid. Futbollisti 24-vjeçar ka qenë gjithmonë në lartësinë e duhur në vitet e kaluara, por me mbushjen e skuadrës me yje në mesfushë dhe repartin e avancuar, ka qenë pikërisht ai i sakrifikuari i madh.
Ndaj te Reali e shohin Rodrigon si një lojtar që mund të sakrifikohet në merkato edhe për të mbushur arkat. Interesi për të nuk ka munguar, kryesisht nga Anglia dhe me sa duket skuadra e parë ka bërë një hap konkret.
Sipas mediave spanjolle, klubi i Totenhemit ka kërkuar zyrtarisht leje nga Real Madrid që të negociojë me sulmuesin duke tentuar që ta afrojë në radhët e londinezëve. Totenhemi kërkon që të nisë një cikël të ri me trajnerin Tomas Frank dhe sulmi është një repart që po përpiqet që të përforcojë.
Megjithatë, në Spanjë duken të bindur se Rodrigo nuk është edhe aq i interesuar për Totenhemin, sidomos duke ditur se mes admiruesve të tij janë edhe Arsenali e Liverpuli. Gjithsesi, lëvizjet e fundit që kanë bërë këto dy skuadra e bëjnë thuajse të pamundur afrimin e një tjetër lojtari në repartin e avancuar, edhe për faktin se Reali vlerëson 90 milionë euro kartonin e tij.