(VIDEO) 62 vjet nga tërmeti që rrafshoi Shkupin

(VIDEO) 62 vjet nga tërmeti që rrafshoi Shkupin

Shkupi sot shënon një përvjetor të hidhur. Janë bërë 62 vjet nga tërmeti i rëndë, katastrofik dhe fatal që u kishte shkaktuar shumë pasoja banorëve të kryeqytetit. Shtëpi që ju kishin mbetur vetëm gërmadhat, nëna që kishin humbur fëmijën, bashkëshortë që kishin humbur bashkëshortin, baba që kishte humbur djalin dhe një shpresë e shuar për jetën. Kështu u zgjuan shkupjanët mëngjesin e 26 korrikut 1963. Të frikësuar dhe të pasigurtë në tokën që shkelnin ata vetëm tentonin që të shpëtojnë jetën e tyre nga fatkeqësia natyrore, e cila u tregua e pamëshirshme për ta. Ishte ora 5:17 minuta, kur Shkupi u zgjua nga tërmeti katastrofik, fuqia e të cilit ishte nëntë ballë sipas shkallës së Merkalievit ose gjashtë sipas shkallës së Rihterit me epiqendër në sheshin “Maqedonia”. Ndërsa, dridhje më të vogla kishte deri në orën 5:43 minuta. Gjatë kësaj fatkeqësie natyrore, humbën jetën 1.070 persona, ndërsa 3.000 të tjerë u lënduan. Gjithashtu, u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera. Ndërkaq, mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë. Hekurudha e vjetër sot është Muze i Qytetit të Shkupit dhe paraqet simbol të tërmetit të madh. Ora e hekurudhës gjithmonë mban akrepat 5:17, për të rikujtuar tërmetin katastrofal.

Paraprakisht Shkupi, atëkohë metropol i provincës ilire Dardania, ishte goditur edhe prej dy termeteve të tjera. Në vitin 518, forca e këtij tërmeti ka qenë 10-11 ballë, kur mbetën të shkatërruara 24 fortesa të qytetit. Tërmeti katastrofal plotësisht kishte shkatërruar Skupin dhe gjatë kohës së dridhjes janë shkaktuar shumë plasje në tokë. Ndërka, tërmeti ardhshëm ka ndodhur në vitin 1555, intensiteti i tij ka qenë 10 ballë, pas çka për herë të dytë qyteti është shkatërruar.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING