Dhuna në Oreshan: Dy persona nën hetim për sulm të rëndë fizik

Dhuna në Oreshan: Dy persona nën hetim për sulm të rëndë fizik

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka urdhëruar fillimin e hetimeve kundër dy personave, të moshës 39 dhe 31 vjeç, të cilët dyshohen për kryerjen e dhunës së rëndë fizike ndaj një personi, të cilin e kanë dyshuar për vjedhje shalqinjsh.

Ngjarja ka ndodhur më 24 korrik në fshatin Oreshan të Shkupit. Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit kanë ndjekur viktimën me automjet nga Petroveci deri në shtëpinë e nipit të tij në Oreshan. Sapo ai është parkuar, ata kanë ndërhyrë me dhunë: e kanë tërhequr nga automjeti dhe e kanë goditur me grushte dhe shuplaka në kokë dhe trup.

Njëri nga sulmuesit ka përdorur edhe pinca hidraulike, me të cilat ka vazhduar ta godasë viktimën deri në humbje të vetëdijes. Për shkak të plagëve të rënda, i dëmtuari është hospitalizuar në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Prokuroria njofton se, përveç rrezikut serioz ndaj jetës së viktimës, akti i dhunës ka shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie tek dëshmitari – nipi i të dëmtuarit – si dhe në publik.

Për shkak të rrethanave të rënduara të rastit, Prokuroria ka propozuar masën e paraburgimit për të dy të dyshuarit.

MARKETING