Aktakuzë për 36 persona në rastin “Sindroma”, dy grupe kriminale ndërmjetësuan për pensione të rreme invaliditeti

Në kuadër të rastit “Sindroma”, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ngriti aktakuzë kundër 36 personave, të dyshuar për një sërë krimesh që lidhen me ndërmjetësim të paligjshëm në fitimin e të drejtave për kujdes dhe pension invalidor të të tjerëve me një çmim prej 150 deri në 5.000 euro.
Të pandehurit, përfshirë mjekë, një avokat dhe zyrtarë, vepruan përmes dy grupeve të organizuara kriminale, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare për përfitim personal.
Nga prokuroria njoftojnë se, të akuzuarit janë organizuar në dy grupe kriminale, të cilët gjatë periudhës prej vitit 2023 deri në prill të vitit 2024 kanë ndërmjetësuar dhe në mënyrë joligjore kanë mundësuar përfitim të të drejtës për përkujdes ndaj tjetrit apo pension invalidor në këmbim të parave.
Çmimi i këtyre shërbimeve ka lëvizur nga 150 deri në 5000 euro, varësisht nga lloji apo kohëzgjatja e të drejtës së siguruar.
Në mesin e të akuzuarve janë mjekë, avokatë, persona zyrtarë në disa institucione publike, të cilët e kanë keqpërdorur pozicionin e tyre dhe ndikimin real për të lëshuar në mënyrë të paligjshme opinione dhe vendime mjekësore në favor të kërkuesve të këtyre të drejtave.
Gjatë procedurës së deritanishme, 13 të dyshuar kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë.