ASH–Taravari: Spitali i Tetovës mbetet peng i paaftësisë së VLEN-it

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me tone të ashpra ndaj, siç e cilëson ajo, “propagandës së qëllimshme” të koalicionit VLEN, lidhur me akuzat që janë bërë për pengesa në punësime në Spitalin Klinik të Tetovës dhe sistemin shëndetësor në tërësi.
Në një deklaratë publike, Aleanca shpreh zhgënjimin për faktin se, pavarësisht se VLEN tashmë është pjesë e Qeverisë dhe ka në dorë Ministrinë e Shëndetësisë, sipas tyre, asgjë nuk ka ndryshuar në terren.
“Propaganda nuk zgjat shumë. E vërteta gjithmonë del në shesh”, thuhet në reagimin e Aleancës, ku theksohet se për muaj me radhë qytetarëve u është servirur një narrativë e rreme që fajësonte Arben Taravarin dhe Blerant Ramadanin për vonesat në punësime.
Sipas tyre, realiteti i tanishëm dëshmon të kundërtën: punësimet në Spitalin e Tetovës vazhdojnë të zvarriten dhe premtimet e VLEN-it kanë mbetur në letër.
“Edhe pse VLEN ka në dorë të gjitha mekanizmat institucionalë, nuk ka arritur të sjellë zgjidhje konkrete. Qytetarët mbeten viktima të lojërave politike”, thuhet më tej në deklaratë.
Aleanca akuzon VLEN-in për paaftësi qeverisëse dhe për keqpërdorim të nevojave qytetare për qëllime propagandistike, duke i bërë thirrje këtij koalicioni të japë llogari.
“Ishte kjo një propagandë e paramenduar, apo një dështim i radhës në qeverisjen tuaj?”, pyet Aleanca, duke theksuar se “koha e akuzave të rreme ka kaluar” dhe se “tetori është afër, shumë afër”, në një mesazh që lë të kuptohet përgatitjen për zgjedhjet lokale.