(VIDEO) Nuk ka interesim për zjarrfikës vullnetar, Angellov thotë se konkursi zgjatet edhe 5 ditë

(VIDEO) Nuk ka interesim për zjarrfikës vullnetar, Angellov thotë se konkursi zgjatet edhe 5 ditë

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov në një prononcim për TV Shenja ka deklaruar se të gjithë ata që duan të aplikojnë në masën e Qeverisë për punësim sezonal të zjarrfikësve duhet të jenë të regjistruar në Agjencinë për Punësim dhe kërkues aktiv për punësim. Ai tha se interesimi nuk është i kënaqshëm sepse siç thotë qëllimi është përzgjedhja e 400 kandidatëve më të mirë në mesin e aplikantëve.

STOJANÇE ANGELLOV, DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM

Interesi nuk është ashtu siç prisnim. Kemi arritur afërsisht deri tek 400 aplikant. Prandaj edhe e kemi vazhduar thirrjen edhe pesë ditë të tjera. Deri më tani ka mbi 400 persona, por çdo person që është shtesë është i mirëseardhur sepse qëllimi ynë është që të bëjmë selektim në mes aplikantëve dhe ti zgjedhim ata që janë më të mirë dhe të njejtit të punësohen në njësitet lokale të zjarrfikësve duke përfshirë edhe në pikën e re në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim”.

Duke folur për situatën me zjarret, ai tha se shumica e zjarreve shkaktohen qëllimisht dhe nuk janë si pasojë e pakujdesisë.

STOJANÇE ANGELLOV – DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM

Për çdo ditë kemi mbi 30 zjarre në hapsira të hapura. Për fat të keq, për pjesën më të madhe dyshojmë se janë qëllimisht të shkaktuara dhe nuk janë shkaktuar nga pakujdesia. Për këtë arsye, policia po vepron me kujdes të shtuar ndaj personave të dyshuar. Apeloj deri tek të gjithë qytetarët që nëse hasin në veprimtari të dyshimta, të njëjtat menjëherë ti denoncojnë në numrin 112”.

Angellov shtoi se, përballja me zjarret është tepër e vështirë duke pasur parasysh temperaturat e larta dhe terrenet e vështira. Ndryshe, sipas njoftimit të fundit, në territorin e vendit janë 6 zjarre aktive, një është shuar totalisht kurse dy të tjerë janë vënë nën kontroll.

Mevludin Imeri /SHENJA/

 

MARKETING