Mucunski në forumin e biznesit në Londër: Kompanitë britanike të shqyrtojnë mundësitë që ofron tregu dhe ekonomia vendore

Në kuadër të vizitës në Londër, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski mbajti fjalim në forumin e biznesit ku para më shumë se 50 kompanive britanike prezantoi mundësitë për investim dhe klimën e investimeve në vend.
Siç kumton MPJTJ, në forum ministri Mucunski foli për përpjekjet dhe aktivitetet e Qeverisë mbi avancimin e klimës së biznesit, si dhe potencialin për rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik.
“Me këtë rast, ai i ftoi kompanitë britanike të shqyrtojnë mundësitë që ofron tregu dhe ekonomia e vendit dhe shprehu gatishmërinë në nivel të Qeverisë dhe ministrisë, t’u ofrojë atyre gjithë mbështetjen e nevojshme për realizimin e planeve dhe qëllimeve të tyre investuese”, thuhet në komunikatë.
Gjatë qëndrimit të tij të punës në Londër, ministri Mucunski vizitoi edhe shkollën e gjuhëve të Evropës Lindore në kuadër të University College London ku studiohet dhe flitet gjuha maqedonase. Pastaj është realizuar donacion me tekste shkollore dhe literaturë e cila siç tha ai, “do të ndihmojë në zotërimin e gjuhës amtare”.
“Promovimi i gjuhës maqedonase dhe krijimi i kushteve për studimin e saj janë ndër prioritetet më të rëndësishme të ministrisë, ku në mënyrë aktive punohet në periudhën e kaluar”, thuhet në komunikatë.
Gjatë vizitës, ministri Mucunski, shtohet ka takuar edhe anëtarët e Grupit parlamentar në Parlamentin britanik për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Në takim u diskutua për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, forcimin e bashkëpunimit parlamentar, si dhe rëndësinë e dy parlamenteve në promovimin e marrëdhënieve politike midis dy vendeve. Ministri Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe interesin e vazhdueshëm për vendin tonë, si dhe për kontributin në forcimin e miqësisë midis dy vendeve”, thuhet në komunikatë.