Ushtria siriane tërhiqet nga Suwayda sipas marrëveshjes së armëpushimit me udhëheqësit druzë

Forcat qeveritare siriane filluan tërheqjen nga qyteti jugor Suwayda të mërkurën në mbrëmje, duke zbatuar marrëveshjen e armëpushimit të arritur më herët gjatë ditës me udhëheqësit fetarë druzë të qytetit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA, transmeton Anadolu.
Tërheqja vjen “pas përfundimit të misionit të ushtrisë për të ndjekur grupet e jashtëligjshme” dhe pas një marrëveshjeje midis qeverisë siriane dhe klerikëve vendas druzë, tha agjencia.
Ministria e Brendshme konfirmoi sot një marrëveshje të re armëpushimi në Suwayda, e cila përfshin riintegrimin e plotë të provincës nën autoritetin e qeverisë qendrore, sipas agjencisë së lajmeve.
Marrëveshja u njoftua mes sulmeve izraelite që shënjestruan Damaskun, Suwaydën dhe Daraan në Sirinë jugperëndimore. Izraeli pretendon se operacionet janë për të mbrojtur pakicën druze.
Përleshje kishin shpërthyer midis milicive të armatosura druze dhe grupeve beduine në Suwayda. Sipas ministrisë, më shumë se 30 persona u vranë dhe gati 100 të tjerë u plagosën gjatë dhunës.