Gjykata Ndërkombëtare Penale refuzon kërkesën e Izraelit për të anuluar urdhërarrestet për Netanyahun dhe Gallantin

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka hedhur poshtë kërkesën e Izraelit për të anuluar urdhërarrestet e lëshuara për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, dhe për të pezulluar hetimin për krimet në territoret e pushtuara palestineze, transmeton Anadolu.
Në vendimin e saj, Dhoma e Parë e GJNP-së tha se ka hedhur poshtë kërkesën e dyfishtë të Izraelit të bërë më 9 maj 2025: Njëra që kërkonte tërheqjen, anulimin ose pavlefshmërinë e urdhërarresteve për Netanyahun dhe Gallantin, dhe një tjetër që bënte thirrje për pezullimin e hetimit të prokurorit për situatën në Palestinë.
Gjykata hodhi poshtë argumentin e Izraelit se GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi krimet e kryera në territoret palestineze, duke riafirmuar vendimet e saj të mëparshme.
Ajo shtoi se vendimi i Dhomës së Apelit i 24 prillit 2025 nuk mund të interpretohet si minim i juridiksionit të gjykatës.
Sipas vendimit, “pezullimi i hetimit është i zbatueshëm vetëm kur një shtet kundërshton pranueshmërinë e një çështjeje”, sipas Nenit 19(7) të Statutit të Romës.
Gjyqtarët kanë vënë re se Izraeli nuk kishte paraqitur një kundërshtim të tillë në lidhje me pranueshmërinë.
Dhoma gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Izraelit për t’i mohuar Palestinës mundësinë për të paraqitur pikëpamjet e saj, duke deklaruar se gjykata tashmë ka informacion të mjaftueshëm dhe nuk kërkon parashtresa shtesë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale vendosi më 5 shkurt 2021 se Palestina është një Shtet Palë në Statutin e Romës dhe se juridiksioni i gjykatës shtrihet në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor, territore të pushtuara nga Izraeli që nga viti 1967.
Zyra e Prokurorit të GJPN-së hapi zyrtarisht një hetim mbi situatën në Palestinë më 3 mars 2021.
Izraeli kundërshtoi juridiksionin e gjykatës sipas Nenit 19(2) të Statutit të Romës më 23 shtator 2024.
Dhomën e Procedurës Paraprake e GJNP-ja lëshoi urdhra arresti për Netanyahun dhe Gallantin më 21 nëntor 2024, duke përmendur krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 24 prill 2025, Dhoma e Apelit e GJNP-së anuloi një vendim të mëparshëm procedural që e kishte hedhur poshtë kundërshtimin e Izraelit si të parakohshëm, duke e kthyer çështjen përsëri në Dhomën e Procedurës Paraprake për një vendim thelbësor.