Rubio: SHBA-ja “shumë e shqetësuar” nga sulmet izraelite në Siri, duam që luftimet të ndalen

Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha sot se Shtetet e Bashkuara janë “shumë të shqetësuara” nga sulmet ajrore izraelite që kanë goditur forcat dhe objektet qeveritare në Siri për dy ditë rresht, transmeton Anadolu.
Rubio tha se sapo ka folur në telefon me “palët përkatëse”, pa specifikuar se me ka ka zhvilluar biseda. Ai tha se shpresojnë të ketë përditësime më vonë sot mbi situatën.
“Jemi shumë të shqetësuar për këtë. Duam që të ndalet. Më vjen keq, duam që luftimet të ndalen, sepse arritëm një armëpushim gjatë natës. U prish përsëri”, tha Rubio ndërsa priti ministrin e Jashtëm të Bahreinit, Dr. Abdullatif bin Rashid Alzayani, në Departamentin e Shtetit.
“Pra, po flasim me të dyja palët, të gjitha palët përkatëse, për këtë, dhe shpresojmë që do ta çojmë deri në fund, por jemi shumë të shqetësuar”, shtoi ai.
Ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore në territorin e Sirisë që nga e marta, veçanërisht në Suwayda, në shkeljen e fundit të sovranitetit të vendit për shkak të pretendimeve për mbrojtjen e komunitetit druz të Sirisë.
Sulmet erdhën ndërsa ushtria siriane vendosi forca në provincë për të rivendosur sigurinë dhe për të mbrojtur civilët dhe pronën e tyre, pas përleshjeve midis grupeve të armatosura druze dhe beduine që lanë të paktën 30 të vdekur.
Të paktën një person u vra dhe 18 të tjerë u plagosën sot pasi Izraeli kreu sulme ajrore në kryeqytetin sirian Damask, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.
Agjencia shtetërore e lajmeve SANA tha se avionët luftarakë kryen sulme në Kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm dhe Pallatin Presidencial, të njohur si Qasr al-Shaab, në kryeqytet.
Radioja Ushtarake e Izraelit konfirmoi se një “sulm paralajmërues” u krye pranë Pallatit Presidencial në Damask.
Videot që po qarkullojnë në mediat sociale tregojnë momentet e sulmeve izraelite në Damask, me re tymi që ngrihen nga zona.
Sulmet erdhën menjëherë pasi Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u zotua për “goditje të dhimbshme” ndaj Damaskut.
Sipas transmetuesit publik të Izraelit, KAN, ushtria izraelite ka goditur gati 160 objektiva në Siri që nga mbrëmë, shumica e tyre në qytetin jugor Suwayda.
KAN tha se shefi i ushtrisë Eyal Zamir ka urdhëruar transferimin e forcave nga Rripi i Gazës në Lartësitë e pushtuara të Golanit të Sirisë.