Rama mbi aksionin për lirimin e hapësirave publike: Ka nevojë që të vazhdojë në të gjithë territorin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me aksionin për lirimin e hapësirave publike ka deklaruar se ky aksion ka nevojë që të vazhdojë në të gjithë territorin e vendit, transmeton Anadolu.
Në një takim në Tiranë më deputetë dhe përfaqësues të bashkive, kryeministri Rama u fokusua në aksionin e ditëve të fundit për lirimin e hapësirave publike që janë zënë nga bizneset, si dhe në shembjen e ndërtimeve që sipas autoriteteve janë pa leje.
“Tirana është zona më e nxehtë edhe për shkak të atraksionit të madh që ka në të gjitha drejtimet dhe numrit të madh të konsumatorëve që ka dhe nuk ka lagje, nuk ka bllok banimi që të mos ketë zaptuesin e vet. Ka filluar të bëhet një punë shumë e mirë nga kryeinspektori, por ka nevojë për të vazhduar në të gjithë territorin dhe të gjitha ato të dhëna që po mblidhen nga deputetët në të gjithë zonat, do duhet të përkthehen në plane veprimi. Kjo do të jetë rilindja urbane 2.0 në Tiranë dhe në të gjithë qytetet e mëdha”, tha Rama
Rama theksoi se kanë marrë përsipër të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe kanë marrë përsipër të përmbyllim procesin e legalizimeve (të ndërtimeve pa leje) brenda vitit 2028.
“Historia ndërto sot, që të legalizosh nesër, nuk do të eci më dhe të gjitha ato ngrehina të ngritura për qëllim fitimi apo çdo lloj ngrehine e ngritur në cenim të hapësirës publike të infrastrukturës publike të projekteve të infrastrukturës, të zonave të mbrojtura, të infrastrukturës kritike do të rrafshohet”, u shpreh Rama.
Duke folur për aksionin e ditëve të fundit për shembjen e ndërtimeve pa leje në fshatin e njohur për turizmin malor, Theth, Rama tha se një pjesë e konsiderueshme e rasteve nuk janë banorë të atij vendi. “Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male, me kushtin që t’i drejtohen institucioneve dhe të marrin lejen përkatëse”, tha Rama.
Rama shtoi se në vijën bregdetare duhet të ketë një presion të rritur ndaj të gjithëve atyre që ndërtojnë dhe njëkohësisht ndaj të gjitha tentativave për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territorin.
“Besoj që po bëjmë gjënë e duhur dhe do vazhdojmë ta bëjmë, duke pasur parasysh që të gjithë ata që ishin në skuadrën e 11 majit të zgjedhur në parlamentin e ardhshëm apo jo, janë pjesë e kësaj skuadre që do të anëtarësojë Shqipërinë në BE dhe do duhet të jenë të lidhur me territorin, do duhet të jenë të lidhur me komunitetin, do duhet të jenë aty, për të marrë në kohë reale të gjitha shqetësimet dhe për të adresuar në kohë reale të gjitha problematikat”, tha Rama.
Kryeministri Rama shtoi ndër të tjera se janë duke punuar intensivisht me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës.
– Aksioni për lirimin e hapësirave publike
Në Shqipëri vazhdon aksioni i nisur disa ditë më parë për shembjen e ndërtimeve që sipas autoriteteve janë pa leje dhe për lirimin e hapësirave publike.
Për disa ditë me radhë, ky aksion u zhvillua edhe në fshatin Theth, në Qarkun e Shkodrës, i njohur për turizmin malor, aksion i cili shkaktoi edhe reagime.
Aksioni në Theth shkaktoi reagime të banorëve, të cilët kanë kërkuar që një aksion i tillë të bëhej pas sezonit turistik për ato ndërtime që janë pa leje.
Ndërkohë, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë në ditët e fundit ka vazhduar edhe aksioni për lirimin e hapësirave publike, që sipas institucioneve janë zënë nga bizneset në kundërshtimet me ligjet, ndërkohë pritet që ky aksion të fillojë edhe në qytete të tjera.