Jannik Sinner dominon Djokovicin dhe siguron finalen e parë në Wimbledon

Jannik Sinner ka shkëlqyer në gjysmëfinalen e Wimbledonit duke mposhtur legjendën Novak Djokovic me rezultatin bindës 6-3, 6-3, 6-4 dhe duke siguruar finalen e tij të parë në All England Club. Italiani 23-vjeçar do të përballet të dielën me kampionin në fuqi, Carlos Alcaraz, në një përballje që pritet të jetë kulmi i një rivaliteti të ri në tenis.
Për numrin një në botë, kjo do të jetë finalja e katërt radhazi në një Grand Slam, por e para në fushat me bar të Londrës. Sinner kërkon të hakmerret ndaj Alcaraz, i cili e mposhti në mënyrë dramatike në finalen e Roland Garros, ku italiani kishte shpërdoruar tri pikë për titull.
Fitorja e Sinnerit ndaj Djokovic i dha fund ëndrrës së serbit për të barazuar rekordin e Roger Federer me tetë tituj në Wimbledon dhe për të fituar Grand Slam-in e tij të 25-të në karrierë. Pavarësisht një dëmtimi të mëparshëm në bërryl, Sinner dominoi nga fillimi në fund, duke thyer shërbimin e Djokovic herët në setin e parë dhe duke ruajtur epërsinë me vendosmëri dhe lojë precize. Ai përfitoi nga çdo dobësi e kundërshtarit, duke përmbyllur sfidën për më pak se dy orë.
Në anën tjetër të shortit, Carlos Alcaraz siguroi finalen e tij të tretë radhazi në Wimbledon pas një fitoreje të fortë ndaj amerikanit Taylor Fritz, me rezultatin 6-4, 5-7, 6-3, 7-6(6).
Të dy lojtarët, Alcaraz dhe Sinner, kanë fituar bashkë gjashtë Grand Slame të fundit, duke ndarë dominimin në skenën e tenisit botëror. Interesant është fakti se italiani e kishte mposhtur Alcarazin në Wimbledon në vitin 2022 – e vetmja humbje e spanjollit në këtë turne deri më tani.
Finalja e së dielës pritet të jetë jo vetëm një spektakël sportiv, por edhe një faqe e re në historinë e rivaliteteve të mëdha të tenisit.