(VIDEO) Mickoski: Identiteti maqedonas po fshihet në mënyrë talibane

Identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase është fshirë në mënyrë talibane nga Raporti për vendin në Parlamentin Evropian. Kështu me tonë të ashpra reagoi kryeministri Hristijan Mickoski pas paralajmërimeve nga Bullgaria se tre fuqitë politike më të mëdha në Parlamentin Evropian, kanë rënë dakord që të largojnë termet “Identiteti maqedonas” dhe “Gjuha maqedonase” nga draft-raporti i përparimit të Maqedonisë së Veriut.
Sipas kryeministrit u vërtetua edhe njëherë publikisht se nuk është vetëm çështja e vendosjes së bullgarëve në Kushtetutë, por problemi është shumë më i thellë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Të gjithë ata që kanë manipuluar në të kaluarën, të gjithë ata që na bindnin që vetëm ta ndryshojmë Kushtetutën dhe të gjitha problemet tona do të zgjidhen, duhet të dalin para qytetarëve tanë dhe të ju kërkojnë falje. Do ta përdor një fjalë edhe pse nuk do doja ta përdor, në mënyrë talibane është fshirë identiteti dhe gjuha maqedone nga Raporti i PE-së. Këtë e pritëm si qytetarë në shekullin 21. E këtë na e kanë bërë Bujar Osmani, Dimitar Kovaçevski, Bojan Mariçiq e të tjerë”.
Paraprakisht agjencia bullgare e lajmeve BGNES njoftoi për termet që do të heqen nga raporti i cili duhet të votohet më 8 korrik në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Ndërsa këtë e konfirmoi edhe eurodeputeti Andrej Kovaçev. Ai tha se propozimi i tri partive politike pritet të mbështetet nga shumicë në seancë, duke shtuar se temat për identitetin dhe gjuhën nuk kanë vend në raportin për përparim të vendit që aplikon për antarsim në BE.
Andrej Kovaçev, eurodeputet
“Tema të tilla çojnë vetëm në përçarje dhe hapin kutinë e Pandorës. Kjo konfirmohet në rastin konkret në deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve qeveritarë në Shkup, dhe veçanërisht të kryeministrit Mickoski me manipulimet e tij të ‘identitetit dhe gjuhës shekullore’. Qëllimi i pafshehur i autoriteteve në Shkup ishte që në prag të zgjedhjeve lokale, të tregonin një triumf të pabesueshëm ndaj ‘fqinjit lindor’”.
Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian më 24 qershor e miratoi Raportin për RMV-ën, të përgatitur nga eurodeputeti austriak Tomas Vajc, në të cilin dokument në disa raste ka referenca për pranimin e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Para votimit, eurodeputeti gjerman Mihail Galer nga Partia Popullore Evropiane, propozoi amendament që para termit “gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas” të shtohet fjala “moderne”. Amendamenti nuk u vendos për votim sepse kundër u deklaruan gjashtë eurodeputetë.
Emine Ismaili /SHENJA/