VLEN: Përfaqësimi i drejtë nuk do të jetë më tezga për punësimin e familjarëve të funksionarëve të BDI-së

VLEN: Përfaqësimi i drejtë nuk do të jetë më tezga për punësimin e familjarëve të funksionarëve të BDI-së

VLEN sot ka dënuar ashpër, sipas tyre, përpjekjen hipokrite të Bujar Osmanit dhe Arbër Ademit për të bllokuar dhe përçmuar procedurën për miratimin përfundimtar të Ligjit për përfaqësim të drejtë.
“Është e qartë se ata kanë diçka kundër të drejtës kushtetuese të shqiptarëve, të cilën BDI kurrë nuk e realizoi.
Po bëhet gjithashtu e qartë se pikërisht njerëzit e BDI-së janë të vetmit që humbin kur vendoset rend dhe sistem meritokracie, sepse Bujar Osmani e punësoi gruan në AEK, ndërsa motrën në M-NAV, në vende pune ndër më të paguarat, ndërsa Arbër Ademi i siguroi vëllait të tij pagë universitare.
Derisa ata dhe familjet e tyre shëtitnin nëpër institucionet publike dhe zgjidhnin pozita VIP, të rinjtë shqiptarë detyroheshin të emigronin në Gjermani për të gjetur punë dhe dinjitet.
Me Ligjin për përfaqësim të drejtë, ajo kohë përfundon. Prej tani e tutje, kriter do të jetë dija, kualifikimi dhe kompetenca, jo lidhjet familjare dhe as libreza partiake. Pikërisht për këtë arsye, kundërshtarët më të zëshëm janë Bujar Osmani dhe Arbër Ademi; privilegjet e tyre komode nuk kalojnë më.
Përfaqësimi i drejtë nuk do të jetë më tezga për punësimin e familjarëve të funksionarëve të BDI-së. Do të jetë e drejtë ligjore për çdo shqiptar”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga atje thonë se VLEN qëndron fort pas çdo të riu që dëshiron të ndërtojë karrierën e vet këtu, në vendin e vet.

MARKETING