Liderët e G7-ës: Irani “nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore”

Liderët e G7-ës: Irani “nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore”

Liderët e vendeve të G7-ës të mbledhur në Kanada, thanë të hënën se Irani nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten.

MARKETING

“Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe terrorit në rajon”, thanë në një deklaratë të përbashkët liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së

“Ne kemi qenë gjithmonë të qartë se Irani nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore”, shtuan ata.

Duke riafirmuar angazhimin e tyre për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme, ata thanë: “Në këtë kontekst, ne pohojmë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Rikonfirmojmë mbështetjen tonë për sigurinë e Izraelit.”

Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e mbrojtjes së civilëve.

“Bëjmë thirrje që zgjidhja e krizës iraniane të çojë në një de-përshkallëzim më të gjerë të armiqësive në Lindjen e Mesme, përfshirë një armëpushim në Gaza”, thuhet më tej.

Liderët deklaruan se do të mbeten “vigjilentë” ndaj ndikimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë për të ruajtur stabilitetin e tregut.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, do të kthehet në Uashington DC, më vonë të hënën, duke përfunduar pjesëmarrjen e tij në samitin e G7-ës për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.

“Duhet të kthehem më herët, për arsye të dukshme”, u tha ai gazetarëve.

Më herët, Trump u bëri thirrje civilëve që të evakuojnë menjëherë Teheranin, mes tensioneve të rritura mes Izraelit dhe Iranit.

“Irani duhej të kishte nënshkruar ‘marrëveshjen’ që u thashë të nënshkruanin. Çfarë turpi dhe çfarë humbjeje jete njerëzore. Thënë thjesht: IRANI NUK MUND TË KETË NJË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë vazhdimisht! Të gjithë duhet të evakuojnë menjëherë Teheranin!” shkroi ai në platformën e tij Truth Social.

Tensionet janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli ndërmori sulme ajrore të koordinuara dhe sulme me dron ndaj disa objekteve në Iran, përfshirë baza ushtarake dhe objekte bërthamore, duke nxitur përgjigjen ushtarake të Teheranit.

MARKETING