Raportuesja e OKB-së për Palestinën bën thirrje për lirimin e anijes “Madleen” të ndaluar nga Izraeli

Raportuesja e OKB-së për Palestinën bën thirrje për lirimin e anijes “Madleen” të ndaluar nga Izraeli

Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese bëri thirrje për lirimin e anijes “Madleen”, të cilën Izraeli e ndaloi me 12 aktivistë të të drejtave të njeriut, transmeton Anadolu.

MARKETING

Në një postim që ndau në llogarinë e saj në X, Albanese tha se “duhet të lirohet urgjentisht” anija “Madleen”, e cila synon të dërgojë ndihmë humanitare në Rripin e Gazës.

“Çdo port mesdhetar duhet të dërgojë anije që transportojnë ndihmë, solidaritet dhe humanizëm në Gaza. Ata do të lundrojnë së bashku, ata do të jenë të pandalshëm së bashku”, theksoi raportuesja e OKB-së.

Albanese potencoi bllokadën e vendosur nga Izraeli ndaj Rripit të Gazës, e cila ka shkaktuar katastrofë humanitare dhe gjithashtu kufizon hyrjen e ndihmës humanitare. “Thyerja e bllokadës është përgjegjësi ligjore për shtetet dhe detyrim moral për të gjithë ne”, tha ajo.

– Në anije ndodhen 12 aktivistë

Anija me vela 18 metra u nis për në Gaza nga porti San Giovanni Li Cuti në Katania të Italisë më 1 qershor, si pjesë e misionit të fundit të organizuar nga organizata e shoqërisë civile “Koalicioni i Flotiljes së Lirisë” (Freedom Flotilla Coalition) për të thyer bllokadën ndaj Gazës dhe për të sjellë ndihma në rajon.

Aktivistët në anijen “Madleen” kishin njoftuar se do të vazhdonin qëndrimin e tyre paqësor dhe nuk do të rezistonin nëse ushtria izraelite ndërhynte. Ushtria izraelite ndërhyri në anijen “Madleen”, e cila synonte të thyente bllokadën ndaj Gazës.

Në anije ndodhen 12 persona, përfshirë anëtaren franceze të Parlamentit Evropian (PE) Rima Hassan dhe shtetasen gjermane Yasemin Acar, si dhe Hüseyin Şuayb Ordu nga Turqia, Thiago Avila nga Brazili, Sergio Toribio nga Spanja, Marco van Rennes nga Holanda, Baptiste Andre, Reva Viard, Pascal Maurieras dhe Yanis Mhamdi nga Franca, aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg dhe gazetari Omar Faiad.

– Rreth 2.3 milionë palestinezë po përballen me katastrofë humanitare

Ushtria izraelite e cila ka kryer sulme të dhunshme në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, po shënjestron gjithashtu spitalet, shkollat dhe tendat ku po qëndrojnë palestinezët e zhvendosur.

Rreth 2.3 milionë palestinezë po përballen me katastrofë humanitare për shkak të bllokadës së Izraelit që kufizon hyrjen e ilaçeve dhe ndihmës humanitare në Gaza. Autoritetet palestineze dhe qarqet ndërkombëtare po paralajmërojnë se Izraeli zbaton politikë urie në Gaza dhe përdor urinë si “armë lufte”.

Protestat e organizuara në të gjithë botën bëjnë thirrje që sulmet ndaj Rripit të Gazës të ndalen dhe në rajon të dërgohet ndihmë humanitare.

Izraeli dëshiron të monopolizojë shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza dhe shpesh shënjestron palestinezët që shkojnë me shpresën për të gjetur ushqim në pikat e ndihmës humanitare të ngritura me mbështetjen e SHBA-së.

Në sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës janë vrarë 55 mijë palestinezë ndërsa 126 mijë të tjerë janë plagosur.

MARKETING