Vuçiq: I dërguam ndihmë ushtarake Izraelit menjëherë pas 7 tetorit, raportet mes dy vendeve janë të fuqishme

Vuçiq: I dërguam ndihmë ushtarake Izraelit menjëherë pas 7 tetorit, raportet mes dy vendeve janë të fuqishme

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij i dërgoi ndihmë Izraelit menjëherë pas sulmeve në Rripin e Gazës që filluan më 7 tetor 2023, transmeton Anadolu.

MARKETING

Në një intervistë me gazetën izraelite “The Jerusalem Post”, Vuçiq lavdëroi marrëdhëniet Serbi-Izrael, ndërkohë që Tel Avivi i ka intensifikuar sulmet e tij ndaj Gazës.

Vuçiq tha se mbrëmjen e 8 tetorit 2023 kishin marrë një mesazh nga Izraeli.

“Ata thanë: ‘U kapëm në befasi, na duhen këto gjëra’. Unë kisha shërbyer më parë si ministër i mbrojtjes, e dija se si funksiononin gjërat. Arritëm të mbledhim atë që na u kërkua në katër ditë”.

“Unë jam i vetmi person në Evropë që tregton municion ushtarak me Izraelin. Kjo është arsyeja pse shpesh kritikohem nga kolegët e mi. Gjithmonë do të jetë e njëjta gjë në Serbi. Ne gjithmonë do ta respektojmë dhe do ta duam popullin hebre dhe Izraelin. Kjo është ajo që dua të them vërtet, kjo është ajo që ndiej vërtet”, tha Vuçiq.

Presidenti serb po ashtu falënderoi Izraelin për votimin kundër shpalljes së 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës” në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Ai po ashtu theksoi se vendi i tij ka krijuar lidhje të fuqishme me Izraelin.

Ndërkohë, Jerusalem Post, në lajmin mbi Vuçiqin, theksoi se Serbia bashkëpunon me Izraelin në shumë fusha dhe raportoi se Izraeli ka bërë investime të konsiderueshme në Serbi në fusha kyç si energjia e rinovueshme, pasuritë e paluajtshme dhe teknologjia e lartë.

Nga ana tjetër, më parë u pretendua se shitjet e armëve të Serbisë në Izrael në vitin 2024 kanë tejkaluar 23 milionë euro, por nuk është bë asnjë deklaratë zyrtare.

MARKETING