“Divorci” i hidhur me Musk, Trump reagon sërish: I ka ikur mendja, s’dua të flas më

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka komentuar sërish përplasjen e ashpër që pati me Elon Musk të enjten.
MARKETING
Në një intervistë telefonike për ABC Neës, Trump u shfaq mëngjesin e kësaj të premteje i qetë dhe i pashqetësuar.
I pyetur nëse kishte të planifikuar një telefonatë me miliarderin gjatë ditës, ai reagoi me ironi:
“E ke fjalën për burrin që ka humbur mendjen?”- tha Presidenti amerikan, duke shtuar se “nuk është veçanërisht i interesuar të flasë me të tani.”
Në më pak se një javë nga dita kur i thurën lëvdata njëri-tjetrit në Dhomën Ovale, presidenti amerikan Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk u ndanë në mënyrë spektakolare.
Në një luftë fjalësh që u përshkallëzua të enjten, të dy ata përdorën rrjetet e tyre sociale për të sulmuar njëri-tjetrin.
Shkak u bë një reagim i mëhershëm i Musk, që e cilësonte projektligjin e Trump për shpenzimet si “të neveritshëm”, pasi sipas tij, do të mbyste amerikanët në borxhe.
Në reagimin e tij, Trump tha se, mënyra më e lehtë për të kursyer para në buxhet ishte t’i jepte fund subvencioneve dhe tenderave në favor të kompanive të Musk.
“Jam habitur gjithmonë përse Biden nuk e bënte një gjë të tillë”, tha ai.
Nga ana e tij, pronari i “Tesla” dhe “Starlink” u përgjigj duke thënë se emri i Trump shfaqet në dosjet e turpshme të financierit Jeffrey Epstein, duke shtuar se kjo është arsyeja përse dosjet nuk bëhen publike.
Replikat vijuan me një reagim të Shtëpisë së Bardhë, që deklaroi se deklaratat e Musk për rastin Epstein ishin vetëm një “episod fatkeq”.
Administrata Trump sugjeroi se kritikat e miliarderit ndaj ligjit për shpenzimet rrjedhin nga zhgënjimi i tij për faktin se nuk përmban politika në favor të tij.
Musk insistoi se ishte ai njeriu që i mundësoi Trump fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe shtoi se tani kreu i shtetit sillet si mosmirënjohës ndaj tij.
Por as Trump nuk mbeti pas, duke deklaruar se, “nuk e di nëse unë dhe Musk do të kemi më një lidhje të fortë”.
Deri të enjten, Musk konsiderohej si një element kyç i administratës Trump, me ndikim të madh edhe në diplomacinë amerikane e fusha të tjera.