Gjermani, shumë figura të famshme thirrje qeverisë të ndalojë furnizimin me armë për Izraelin

Në Gjermani, shumë figura nga fushat e shkencës, kulturës dhe shoqërisë civile kanë shkruar letër të hapur drejtuar zyrtarëve qeveritarë, duke kërkuar ndërprerjen e furnizimeve me armë për Izraelin, sigurimin e ndihmës humanitare pa pengesë për Gazën dhe kryerjen e përpjekjeve për armëpushim, transmeton Anadolu.
MARKETING
Sipas revistës “Spiegel”, letra e hapur u shkrua me iniciativën e Said Etris Hashemi, viktimë e sulmit racist në Hanau në vitin 2020, dhe shumë emra të famshëm, përfshirë aktivisten e klimës Luisa Neubauer, sociologun Harald Welzer, muzikantin Michael Barenboim, aktorët Axel Prahl dhe Enissa Amani, drejtuar kancelarit gjerman Friedrich Merz, zëvendës kancelarit Lars Klingbeil dhe ministrit të Jashtëm Johann Wadephul.
Në letër thuhet se ky artikull u shkrua me shqetësim të madh për shkak të katastrofës humanitare që po ndodh në Rripin e Gazës dhe rolit të Gjermanisë në këtë konflikt të armatosur.
Letra bën thirrje për përpjekje më të forta për të siguruar armëpushim në Gaza dhe kërkon ofrimin e ndihmës gjithëpërfshirëse humanitare ndaj popullsisë civile në Rripin e Gazës dhe që qeveria gjermane të rishikojë dhe pezullojë furnizimet e saj me armë për Izraelin.
Në letrën ku vëmendja tërhiqet ndaj shqetësimeve në lidhje me katastrofën humanitare që po ndodh në Gaza, Gjermania akuzohet për dështimin në përmbushjen e detyrimit të saj për të parandaluar krimet e luftës sipas ligjit ndërkombëtar.
“Përgjegjësia për mosndërmarrjen e veprimeve pavarësisht paralajmërimeve të forta është e rëndë”, thuhet ndër të tjera në letër.
Më tej në letër qeverisë gjermane i kërkohet të mbajë qëndrim të qartë kundër metodave joproporcionale të luftës së Izraelit, të cilat shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare i konsiderojnë problematike si dhe u bëhet thirrje organizatave të pavarura si Kombet e Bashkuara (OKB) të ofrojnë ndihmë humanitare të papenguar për popullin palestinez.
“Qeveria gjermane të formësojë politikën e saj të jashtme në mënyrë më të fortë në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut”, theksohet në letrën në të cilën përcillet solidariteti me të gjithë ata që preken nga situata, veçanërisht me të burgosurit dhe familjet e tyre.
Gjithashtu në letër citohen sondazhe që tregojnë se 80 për qind e gjermanëve kritikojnë veprimet ushtarake të Izraelit dhe 60 për qind e tyre kundërshtojnë dërgesat e armëve në Izrael. Sipas lajmit të Institucionit të Radio Televizionit të Gjermanisë Perëndimore (WDR), e cila është e lidhur me transmetuesin publik ARD, letra u nënshkrua nga rreth 50 figura të shquara.