UNRWA: Në 20 muajt e fundit në Gaza janë vrarë ose plagosur 50 mijë fëmijë

UNRWA: Në 20 muajt e fundit në Gaza janë vrarë ose plagosur 50 mijë fëmijë

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) tha se 50.000 fëmijë janë vrarë ose plagosur në sulmet që Izraeli vazhdon prej 20 muajsh ndaj Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

MARKETING

Në një postim të ndarë nga llogaria X e UNRWA-së, drejtoresha për komunikim e UNRWA-së, Juliette Touma tha se “50 mijë fëmijë, djem e vajza janë vrarë ose plagosur vetëm në 20 muaj”.

Ajo theksoi se vetëm kjo është një gjë që do të trondiste të gjithë botën dhe do të vendoste në lëvizje më shumë veprime për të ndaluar sulmet izraelite.

Në postimin e UNRWA-së vihet në dukje se në Rripin e Gazës vazhdojnë të vriten dhe plagosen civilët, përfshirë fëmijët, punonjësit humanitarë dhe shëndetësorë, punonjësit e ndihmës së shpejtë dhe gazetarët.

Gjithashtu në postim përfshihen edhe deklaratat në të cilat thuhet se “Askush nuk është i sigurt në Rripin e Gazës. Nuk bëhet asnjë dallim, askush nuk është i sigurt”.

– Izraeli shkeli armëpushimin dhe ndërmori veprime për pushtim të përhershëm të Gazës

Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit. Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 4.201 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 12.652 janë plagosur.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 54.470 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 124.693. Ushtria izraelite ka filluar zbatimin e një plani sulmi që do të zgjerojë dhe do ta bëjë të përhershëm pushtimin e Rripit të Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se do ta pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës.

Sipas planit, ushtria izraelite do ta pushtojë përgjithmonë Rripin e Gazës ndërsa palestinezët do të dëbohen në “kampe përqendrimi” në jug të Rripit të Gazës. Izraeli do t’u japë palestinezëve në këto kampe përqendrimi, ndihmë të mjaftueshme humanitare “aq sa për të mbijetuar”.

Ministrat izraelitë deklaruan se kanë planifikuar të shkatërrojnë gjithçka që ka mbetur e paprekur në Rripin e Gazës dhe do të dëbojnë palestinezët fillimisht në jug dhe prej aty në vende (shtete) të tjera.

MARKETING