MPB jep detaje për aksidentin e djeshëm në Shkup, ku humbën jetën dy persona

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e djeshme në Shkup, duke marrë jetën e dy personave. Ngjarja u shënua në kryqëzimin mes bulevardit “Nikolla Karev” dhe bulevardit “8 Shtatori”.
MARKETING
Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), një motor me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.I. (47), ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë betoni. Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja e tij, A.N. (32), të dy nga Shkupi, kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Mjeku i Ndihmës së Shpejtë që mbërriti në vendngjarje konstatoi vdekjen e të dy personave,” njoftoi MPB.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë ekspertët e SPB Shkup dhe një prokuror publik. Me urdhër të këtij të fundit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.