Trump nuk ‘harron’ as gazetarët, kufizime të reja për shtypin në Pentagon

Administrata e Presidentit Donald Trump ka vendosur masa të reja kufizuese për shtypin në Pentagon, duke kërkuar që gazetarët të akredituar të jenë të shoqëruar nga personel zyrtar për të hyrë në shumicën e hapësirave të ndërtesës.
MARKETING
Vendimi i shpallur të premten nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, hyn në fuqi menjëherë dhe ndalon hyrjen e gazetarëve në ambientet e paklasifikuara të Pentagonit pa miratim paraprak dhe pa përcjellje zyrtare.
Në një memorandum zyrtar, Hegseth tha se qëllimi i masës është mbrojtja e informacionit të klasifikuar dhe ruajtja e sigurisë operacionale, duke theksuar se “zbulimi i paautorizuar mund të rrezikojë jetën e ushtarëve amerikanë.”
Masat janë kritikuar ashpër nga Shoqata e Shtypit në Pentagon, e cila i ka quajtur ato një “sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit.” Në një deklaratë, organizata theksoi se gazetarët kanë pasur akses në zona jo-sekrete të Pentagonit për dekada me radhë, nën administrata të ndryshme, pa asnjë problem sigurie.
Që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, Pentagon ka nisur një hetim për rrjedhje informacioni, duke pezulluar tre zyrtarë. Gjithashtu, janë larguar media të mëdha si CNN, New York Times, Washington Post dhe NBC News nga hapësirat e tyre brenda Pentagonit, për t’u zëvendësuar nga media më të afërta me administratën si Breitbart, One America News dhe Daily Caller.
Pentagoni nuk ka reaguar ende ndaj kritikave për kufizimin e aksesit të shtypit dhe për zgjedhjen selektive të mediave që lejohen brenda ndërtesës.