(VIDEO) Tragjedia në Koçan, hetimi pritet të përfundojë për 10 ditë

Prokurori republikan Lupço Kocevski ka njoftuar se hetimi për rastin e tragjedisë në Koçan pritet të përfundoj për 10 ditë. Ndërsa më pas mbrojtja do të ketë mundësi të shqyrtojë provat. Kurse aktakuza pritet në mesin e qershorit. Për momentin, Kocevski tha se hetimi është në një fazë shumë sensitive dhe se janë marrë në pyetje mbi 300 persona. Ai theksoi se puna është ende duke u zhvilluar për të mbledhur prova të reja dhe se nëse prokurorët publikë zbulojnë momente të reja, hetimi do të zgjerohet.
MARKETING
Lupço Kocevski, prokuror republikan
“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një rast kompleks. Për momentin hetimi është në një fazë shumë po shumë të ndjeshme. Prokurorët po punojnë sipas dinamikës së përcaktuar dhe shpresoj që për 10 ditë, do të përfundoj hetimi me çka më pas mbrojtja do të ketë mundësi të shqyrtojë provat dhe diku në mesin e qershorit pritet aktakuza e prokurorisë”.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Emine Ismaili /SHENJA/