Stambolli pret bisedimet e paqes: Fidan zhvillon diskutime me homologët Rubio, Barrot dhe Lavrov

Në prag të bisedimeve të paqes midis Rurisë dhe Ukrainës të planifikuara për të enjten në Stamboll, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ka zhvilluar biseda telefonike me homologët nga SHBA-ja, Franca dhe Rusia, transmeton Anadolu.
MARKETING
Sipas burimeve diplomatike, Fidan dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, duke përfshirë Sirinë, Gazën dhe Ukrainën.
Gjatë telefonatës së tyre, Fidan ka nënvizuar rëndësinë e heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.
Lirimi i shtetasit izraelito-amerikan, Edan Alexander, nga Hamasi, dhe bisedimet e planifikuara të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës janë trajtuar gjithashtu gjatë bisedës telefonike.
Dy kryediplomatët kanë diskutuar gjithashtu detajet e vizitës së ardhshme të Rubios në Turqi me rastin e Takimit Joformal të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që do të mbahet në Antalya më 14-15 maj.
Ndërkaq, në bisedën midis Fidanit dhe homologut të tij francez, Jean-Noel Barrot, janë diskutuar bisedimet e planifikuara të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas burimeve, Fidan dhe Barrot kanë shqyrtuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në telefonatën me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, kryediplomati turk ka diskutuar përpjekjet e fundit për të vendosur paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, thanë burime të Ministrisë së Jashtme turke.
Bisedimet e paqes janë planifikuar të zhvillohen në Stamboll, Turqi, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy që ka pranuar propozimin e Moskës për të rifilluar negociatat.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka përshëndetur mbështetjen e homologut të tij rus Vladimir Putin për rifillimin e procesit nga vendi ku ishte ndalur, në Stamboll, duke riafirmuar angazhimin e Turqisë ndaj përpjekjeve për paqe.