(VIDEO) Akuza pushtet-opozitë për Inspektoratin e gjuhëve

Komisioni për Sistemi Politik dhe Marrëdhënie misid bashkësive, ka kaluar sot propozim ligjin për inspektoratin e përdorimit të gjuhëve. Anëtarët e Komisionit nuk i kanë mbështetur amendamentet e dorëzuar nga Fronti Evropian, më të cilit thirreshin në nenin 7 dhe 48 të Kushtetutës dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve. Deputetët e Frontit Evropian edhe sot akuzuan se me këtë propozim ligj, synohet të kontrollohet puna e Inspektoratit dhe të ketë ndërhyrje në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
MARKETING
Rina Ajdari, Deputete e Frontit Evropian
“Në vend që të përmirësohet dhe forcohet, shumica parlamentare po e çon drejt një varfërimi institucional duke i hequr çdo mundësi për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe efektive. Propozim ligji në fjalë, e heq statusin juridik të inspektoratit duke e bërë thjeshtë njësi administrative brenda Ministrisë së Drejtësisë. Domethënë, qëllimi është të hiqet një ent i pavarur dhe të kthehet në një zyrë të thjeshtë, e cila do të funksionojë nën urdhërat e një ministrie me tendencë kontrollin dhe abuzimin nga qeveritarët aktual”.
Ndërkaq, deputeti i VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshoski tha se, edhe pse dikush dëshiron ta paraqet këtë çështje si temë etno – politike, kjo çështje është temë reformuese e cila është e harmonizuar me legjislacionin aktual dhe me ligjin për organet e administratës shtetërore që u votua edhe nga opozita shqiptare.
Antonio Millloshoski, deputet i VMRO – DPMNE-së
“Si deputet, besoj se duhet të jemi konsistent me atë që e kemi votuar me ndryshimet e Ligjit për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore dhe jo, atëherë të kemi një pozicion të BDI-së, i cili sipas meje, ka qenë i argumentaur dhe një linjë të organizimit të ri të organeve shtetërore, ndërsa sot të kemi politizim dhe kundërshtim të asaj që e kemi ndërmarrë si obligim me këtë. Duhet ta kuptojmë këtë si një reformë administrative-legjislative që ndërkohë na është kërkuar nga Komisioni Evropian ta zbatojmë jo vetëm për këtë, por për të gjitha 20 inspektoratet në mënyrë që të marrim një pjesë të fondeve të parashikuara në Planin e Rritjes dhe të destinuara për Maqedoninë”.
Ndryshimet në Ligjin për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve parashikojnë heqjen e statusit të tij juridik. Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu që Drejtori i Inspektoratit duhet të ketë një certifikatë, diplomë ose dokument tjetër që vërteton provimin e kaluar në njërën nga katër gjuhët më të përdorura të Bashkimit Evropian në nivelin B2 të Kornizës së Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët, të lëshuar nga një institucion ose organ në vend ose jashtë vendit, i regjistruar si ofrues i këtij shërbimi.
Teuta Buçi /SHENJA/