Kriza e mbrojtjes te Reali, 55 dëmtime në tri sezone

Dëmtimet e fundit të Rydiger, Ferland Mendi dhe David Alaba plotësojnë shembjen përfundimtare të mbrojtjes së Realit të Madridit.
“Muri i bardhë” është shembur pasi u godit nga 55 dëmtime, të shpërndara në 10 mbrojtës që kanë grumbulluar 2,005 ditë jashtë vetëm në tri sezonet e fundit. Ndikimi i dëmtimeve që ka tronditur linjën mbrojtëse gjatë kësaj periudhe, ka qenë prej kohësh një dhimbje koke për Ançelotin, i cili ka shteruar kapacitetin e tij krijues për t’u përballur me një mungesë të paparë mbrojtësish. Gjatë tri sezoneve të fundit, rekordi i dëmtimeve që ka prekur mbrojtësit e Madridit ka qenë shkatërrues.
Alaba ka pësuar 7 lëndime dhe 520 ditë pushim: Militao numëron 6 dëmtime dhe 444 ditë jashtë fushave; Karvahal 8 dëmtime dhe 294 ditë; Mendi 9 dëmtime dhe 348 ditë; Rydiger 6 dëmtime dhe 122 ditë; Lukas Vaskez 7 dëmtime dhe 104 ditë; Vajeho 5 dëmtime dhe 94 ditë; Naço 3 dëmtime dhe 33 ditë; Fran Garsia 1 dëmtim dhe 9 ditë; Odriozola 3 dëmtimeve dhe 43 ditë. Kjo është lista e plotë e pengesave fizike dhe ditëve jashtë për mbrojtësit që kanë qenë pjesë e skuadrës së Realit të Madridit që nga sezoni 2022- 23, ku gjashtë prej lojtarëve të dëmtuar u është dashur të qëndrojnë jashtë fushave, të paktën 100 ditë.
Një makth për Ançelotin, i cili mund të numërojë me gishtat e duarve numrin e herëve që ka luajtur kundër mbrojtjes së tij, e cila supozohet të jetë e shkëlqyer, gjatë tri sezoneve të fundit. Ai ka arritur ta bëjë këtë gjashtë herë këtë sezon në 57 ndeshje (Karvahal, Rydiger, Militao dhe Mendi), asnjë sezonin e kaluar (Karvahal, Militao, Alaba dhe Mendi) dhe 10 në sezonin 2022-23 (Karvahal, Militao, Alaba dhe Mendi).
NJË MBROJTËS I PASTËR NË DISPOZICION – Dëmtimi i trefishtë i Rydiger, Mendi dhe Alaba e lënë Fran Garsian si mbrojtësin e vetëm të disponueshëm në ekipin e parë për momentin. Karvahal, Militao, Rydiger, Mendi (mbrojtja titullare me të cilën Ançeloti e nisi sezonin në Superkupën e Evropës) dhe Alaba janë të dëmtuar. Lukas Vaskez nuk është mbrojtës, Vajeho nuk ka qenë lojtar titullar për shtatë muaj dhe Asensio ndonëse titullar është lojtar i ekipit të dytë të Realit. Një mbrojtës i pastër është ajo që ka lënë Ançeloti pas një krize të paparë lëndimesh. Reali i cili e nisi sezonin me shumë pak burime, por gjatë zhvillimit të sezonit ka parë se si dëmtimet kanë lënë gjurmën e tyre në linjën më të dobët të Madridit, mbrojtjen. Pas lamtumirës së Naços, mungesës së firmës me Leni Joro, dëmtimit të rëndë të lojtarit të ri Joan Martínez (basti i madh për të përforcuar ekipin e parë) dhe vonesës në periudhën e rikuperimit të David Alaba, Madridi e filloi sezonin në gusht me gjashtë mbrojtës të pastër: Karvahal, Rydiger, Militao, Mendi, Fran Garsia dhe Vajeho. Tre muaj më vonë, perspektiva ishte e zymtë dhe Ançeloti duhej të llogariste vetëm tre mbrojtës: Rydiger, Mendi dhe Fran Garsia. Karvahal dhe Militao i thanë lamtumirë sezonit, Vajeho ndaloi së numëruari pas 10 minutash kundër Alavesh dhe Alaba ende nuk kishte një datë rikthimi, një moment në të cilin hyri në skenë lojtari i të rinjve Asensio.
“CIRK” PRAPA – Ançeloti është detyruar të bëjë “cirk” çdo javë për të hartuar një linjë mbrojtëse. Trajneri ka vënë në fushë 27 mbrojtje të ndryshme në 57 ndeshje, dhe 17 prej tyre i ka përdorur vetëm një herë. Gjashtë lojtarë të ndryshëm kanë luajtur në mbrojtje në të djathtë (Karvahal, Lukas Vaskez, Valverde, Asensio dhe Lorenco Aguado), katër në të majtë të mbrojtjes (Mendi, Fran Garsia, Kamavinga dhe Alaba) dhe nëntë të tjerë kanë luajtur në qendër të mbrojtjes (Rydiger, Militao, Alaba, Asensio, Tçuameni, Karvahal, Diajoko, Valabogule). Për më tepër, trajneri është detyruar të rreshtojë një mbrojtje me dy mesfushorë të krahut (Valverde dhe Kamavinga), një qendërmbrojtës të Kastiljes (Asensio) dhe Rydiger.