(VIDEO) VLEN dhe Fronti Evropian përplasen me deklarata për Medresenë “Isa Beu”

Partitë politike shqiptare në opozitë dhe pushtet kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin ia ndalon Bashkësisë Fetare Islame që të themelojë shkollë të mesme private. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim e kanë dënuar këtë vendim, duke e quajtur atë politik dhe antikushtetues. Ata kanë akuzuar VLEN-i që është në qeveri, për të cilën thanë se, në vend që të mbrojnë qytetarët, ata mbrojnë karriget dhe shefat e tyre.
BDI
“Ky vendim është sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë fetare, ndaj dinjitetit të komunitetit mysliman dhe ndaj një të drejte që u fitua si korrigjim i një padrejtësie historike gjatë qeverisjes së udhëhequr nga BDI. Dhe kjo nuk është thjesht një çështje gjyqësore – kjo është betejë për dinjitetin kolektiv. Por më e rëndë se vendimi i gjykatës është heshtja e turpshme e përfaqësuesve shqiptarë në këtë qeveri. Në vend që të protestojnë, ata heshtin. Në vend që të japin dorëheqje, ata justifikojnë”.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi – Zejdi, ku sipas tij kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të garantuara nga Kushtetuta.
Skender Rexhepi, Lëvizja Populli
“Absurdi më i madh është se me diplomën e medresesë “Isa Beu” mund të vazhdosh në universitete prestigjioze në Turqi, dhe në rajon, madje edhe në vendet perëndimore – por jo në RMV, në shtetin ku kjo medrese është themeluar! Kjo nuk është as gabim e as rastësi – kjo është një politikë e qëllimshme diskriminimi dhe një sulm i organizuar ndaj identitetit dhe ekzistencës sonë”.
Ndërkaq nga VLEN, kanë akuzuar se me këtë vendim doli e vërteta në shesh se medreseja nuk është akredituar kurrë në mënyrë të ligjshme dhe se BDI vetëm e përdori për qëllime politike.
VLEN
“Vendimi i sotëm e vërteton përfundimisht se BDI nuk ka zgjidhur asnjë çështje shqiptare me ligj dhe kushtetutë, po vetëm ka gënjyer dhe ka mashtruar për vota. Medreseja “Isa Beu” nuk do të përdoret më për lojëra të ndyra politike dhe fushata boshe. Ne jemi duke punuar për një zgjidhje përmes së cilës kjo çështje do të mbyllet përfundimisht, një herë e mirë larg manipulimeve të së kaluarës dhe afër drejtësisë së merituar për shqiptarët”.
Gjykata Kushtetuese në seancën e së mërkurës shfuqizoi vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e shkollës private të mesme “Medreseja Isa Beu” në Kondove, e cila u miratua nga ana e Qeverisë më 26 mars në vitin 2024. Me këtë, nxënësve të medreses u pamundësohet që të regjistrohen në universitetet në vend. BFI nga ana tjetër në reagimin e saj, paralajmëroi betejë juridike në lidhje me këtë rast. Ata informuan se, veç më kanë inicuar procedurë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetueshmërisë së nenit 7 të Ligjit për arsimin e mesëm me të cilin nuk lejohet “mësimi fetar nëpër shkollat e mesme” me arsyetimin se i njëjti është në kundërshtim me amandamentin 7 dhe nenin 22 të Kushtetutës së RMV-së i cili çdo qytetari i garanton lirin dhe mundësin për “arsim fetar” në “shkolla fetare” të organizuara nga BFI ose KOM-i.
Teuta Buçi /SHENJA/